Për të tretin vit radhazi, fermerët në mbarë Shqipërinë do të aplikojnë nëpërmjet portalit e-Albania për të përfituar nga skema subvencionuese e qeverisë, e cila synon të stimulojë bujqërit e blegtorët të rrisin prodhimin e tyre, falë mbështetjes financiare.

Nga 27 marsi deri në datë 19 prill 2024, aplikimet do të qëndrojnë të hapura nëpërmjet dy shërbimeve elektronike të dedikuara në portalin e-Albania: “Aplikim për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Fermerët” dhe “Aplikim për skemën e karburantit për bujqësinë”, ndërkohë që për herë të parë do të mundësohet aplikimi si Grupim Fermerësh për të njëjtën masë përfituese, me kusht që ky grupim mos të jetë më i vogël se 7 anëtarë. Risi do të jetë heqja e tavanit të mëparshëm në blegtori duke ofruar një vlerësim financiar progresiv, si dhe mbështetja edhe për sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike si një zë i ri përfitues.

Si mund të aplikojnë fermerët tek e-Albania?

Nëpërmjet shërbimit elektronik të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), “Aplikim për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Fermerët” ofrohet aplikimi online për 7 masa të ndryshme, ku kusht është aplikimi, vetëm një herë për një masë. Fermerët zgjedhin të aplikojnë për masën e tufës së matrikulluar lopë, dhi ose dele, mbarështim bletarie, bimë medicinale, kultivim perimesh e frutash si rrush ose luleshtrydhe, përfshirë edhe ato në serra dhe në tunele plastike. Pjesë e masave përfituese janë aplikuesit e fermave organike dhe në kuadër të implementimit dhe certififikimit global GAP, përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve, në perime, fruta, rrush, ullinj agrume dhe kultura të tjera bujqësore.

Identifikimi në portal do të kryhet me NIPT individual, nëse fermeri aplikon për veten e tij, ose me NIPT biznesi, në rast kur fermeri do të aplikojë për opsionin e Grupimit prej 7 anëtarësh. Kujdes! Për këta të fundit, aplikimi është i mundur vetëm për 5 masa të specifikuara që janë:

  • Për tufën bazë të matrikulluar(lopë);
  • Për tufën bazë të matrikulluar (dele dhe/ose dhi);
  • Mbarështimi i bletarisë;
  • Për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike;
  • Mbjellje bimë mjekësore dhe aromatike.

Në formularin elektronik të aplikimit, përfaqësuesi i Grupimit të Fermerëve do të duhet të ngarkojë një marrëveshje dakortësie ose kontratën për shitjen e produktit, duke finalizuar kështu aplikimin elektronik.

Pasi aplikimi dërgohet me sukses, formulari i aplikimit do t’u mbërrijë aplikuesve brenda 24 orëve në rubrikën “Dokumentet e mia”, së bashku me Kodin e Aplikimit në hapësirën “Mesazhet e mia”, në llogarinë personale në portalin e-Albania. Në një afat 30-ditor, përgjigjja u mbërrin aplikuesve elektronikisht nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural për përfshirjen ose jo në skemën rimbursuese.

Edhe në shërbimin tjetër të e-Albania “Aplikim për skemën e karburantit për bujqësinë”, fermerët aplikojnë individualisht ose si Grupim Fermerësh duke ndjekur të njëjtën praktikë. Por ndryshe nga më parë, ‘kuponat e naftës’ do t’ia lenë vendin një forme tjetër rimbursimi, pasi shuma e vendosur në dispozicion do të kalojë në llogaritë bankare të aplikuesve .

Aplikimi për karburant falas kryhet shpejt dhe thjeshtë, duke zgjedhur shërbimin elektronik dhe caktuar që në fillim mënyrën e aplikimit individual ose si Grupim Fermerësh.

Pas plotësimit të formularit elektronik dhe ngarkimit të dokumentacionit të nevojshëm, pjesa pasuese do të jetë e njëjtë si në rastin e mësipërm dhe përgjigjja nga AZHBR do t’u mbërrijë aplikuesve brenda 30 ditëve.

Për të udhëzuar më qartë fermerët portali e-Albania ka përgatitur dy video tutoriale ndihmuese për finalizimin me sukses të procedurave të aplikimit: