Sot, Drejtoresha e Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me Fonde të Huaja, znj. Romina Kostani, së bashku me Drejtorin e Inteligjencës Artificiale dhe Licencimit të Kriptomonedhës, z. Enio Kaso, morën pjesë në Konferencën mbi Sistemin Elektronik të Prokurimit, ku prezantuan arritjet dhe përpjekjet për transformimin digjital të Shqipërisë dhe integrimin e inteligjencës artificiale në administratën publike.

Znj. Kostani theksoi se Shqipëria ka kaluar nga një vend në fund të renditjeve, në një vend në podiumin e digjitalizimit falë një vizioni dhe këmbënguljeje të jashtëzakonshme. Sot, Shqipëria ka 1239 shërbime elektronike në platformën e-Albania, që përfaqëson rreth 95% të të gjitha shërbimeve publike. Këto përpjekje kanë reduktuar burokracinë, përmirësuar transparencën dhe modernizuar marrëdhënien midis shtetit dhe qytetarit.

Z. Enio Kaso shtoi gjithashtu rëndësinë e këtij hapi drejt modernizimit dhe automatizimit të procedurave të prokurimit, duke promovuar një qasje zero letra dhe zero komunikim me zyrat. “Me implementimin e këtij sistemi, çdo biznes do të ketë një dosje virtuale të dedikuar, që do të thotë se bizneset nuk do të kenë nevojë të sjellin asnjë dokument tjetër përveç projektit dhe ofertës së tyre, pasi çdo dokument tjetër i nevojshëm do të sigurohet përmes ndërveprimit me sistemet e tjera shtetërore”- specifikoi ai.

Një nga avantazhet kyçe të këtij sistemi do të jetë barazia e trajtimit për bizneset evropiane dhe ato shqiptare. Falë ndërveprimit me sistemin E-Certis, do të mundësohet verifikimi i deklarimeve të tyre në mënyrë të shpejtë dhe të saktë. Përdorimi i teknologjive të avancuara si inteligjenca artificiale dhe machine learning do të sigurojë që proceset e prokurimit të jenë të sakta dhe të paanshme, duke parandaluar gabimet njerëzore dhe duke automatizuar një sërë procesesh të rëndësishme.

Konferenca shërbeu si një platformë për të diskutuar hapat e mëtejshëm që Shqipëria do të ndërmarrë për të avancuar në fushën e digjitalizimit dhe për të integruar teknologjitë e fundit në administratën publike, duke siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe bizneset shqiptare.