Një brez digjital po rritet , plot aftësi dhe mundësi për të ardhmen e cila duket gjithnjë e më premtuese falë zhvillimeve të teknologjisë. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit nënshkruan sot planin për zbatimin dhe monitorimin e performancës së laboratorëve smart në shkollat e arsimit bazë 9-vjeçar deri në vitin 2025.

Ky është një tjetër hap cilësor në drejtim të edukimit digjital të fëmijëve për një brez të aftë në një të ardhme të afërt, të përshtatshëm me nevojat e tregut, ku teknologjia po ze vendin kryesor, ndërsa pritet që brenda dy viteve të ardhshme harta e smartlab-eve të shtrihet në 615 shkolla të vendit me 654 laboratorë në total.

Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit Nina Guga, nënshkruan gjatë një eventi organizuar në mjediset e TechSpace, aktin e përbashkët, që vjen si pjesë integrale e programit “Përmirësimi i aksesit universal në shërbimet publike të standardit të lartë nëpërmjet teknologjisë (Govtech)” me Bankën Botërore.

“Strategjia Agjenda Digjitale 2022-2026 ka në fokus zhvillimin e teknologjive të reja, Inteligjencën Artificiale, Machine Learning, të cilat i kemi në proces, pa lënë mënjanë aftësitë digjitale. Kemi patur një patur një pilotim shumë të suksëshsëm të 100 laboratorëve të parë, falë punës së përbashkët ndërinstitucionale. Kemi marrë feedback shumë pozitiv nga mësuesit lidhur me laboratorët e rinj, kurrikulat e reja dhe platformën ‘Code Monkey’, duke stimuluar të mësuarit nëpërmjet argëtimit”, u shpreh Karçanaj.

Para se të vendosej që do të kalonim me smartlab-et – shpjegoi Karçanaj, – kemi analizuar të gjithë studimet e bëra në këtë drejtim që qartësisht na kanë treguuar se futja e kodimit që në klasë të parë i ndihmon fëmijët për të patur një logjikë kritike për të gjetur zgjidhje edhe për problemet më të vështira.

Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Guga shprehu gaditshmërinë e plotë për të vijuar më tej me zbatimin e projektit, duke vlerësuar bashkëpunimin me AKSHI-n, koherencën dhe sinkronizimin në ecurinë e deritanishme me projektin e laboratorëve inteligjentë dhe jo vetëm.

Por cilat janë risitë e këtij viti?

Duke shfrytëzuar takimin e sotëm, drejtuesja e AKSHI-t vlerësoi punën e jashtëzakonshme që është bërë me SMIP, që për vitin e kaluar shkollor mundësoi për herë të parë shpërndarjen e dëftesave me vulë elektronike, si nga shkollat publike ashtu edhe ato private.

“Këtë vit iniciativa është që, nëpërmjet SMIP prindërit të informohen në kohë reale për mungesat e fëmijëve të tyre. Do të kalojmë në Regjistrin Elektronik, që do t’u mundësojë prindërve që në kohë reale të mësojnë notat e fëmijëve por edhe mungesat, që nganjëherë bëhen nga fëmijët, por prindërit nuk e dinë”, u shpreh Karçanaj.

Inteligjenca Artificiale planifikohet gjithashtu të zbatohet në sistemin e edukimit, për identifikimin e atyre fëmijëve që janë me një aftësi më të madhe teknologjike që do të orientohen në arsimin e duhur.