Bizneset shqiptare që kërkojnë të punësojnë staf të huaj nga sot u hapet rruga të aplikojnë online në platformën e-Albania për të kryer procedurat e nevojshme të rekrutimit, plotësimit të dokumentacionit dhe punësimit të shtetasve joshqiptarë.

Aplikimin për marrjen e një konfirmimi nga strukturat përgjegjëse shqiptare lidhur me besueshmërinë e biznesit dhe për verifikimin nëse ka ose jo precedentë që bien ndesh me ligjin, subjektet tregtare e kryejnë nëpërmjet shërbimit elektronik: “Vlerësim Paraprak për aplikim për Leje Unike” – (https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=16406)

Vetëm pasi merret vlerësimi pozitiv paraprak, brenda afatit kohor 10 deri 15 ditë pune, bizneset mund të aplikojnë për procedurën e dytë të rëndësishme, nëpërmjet të cilës mund të finalizohet kërkesa e tyre. “Aplikim nga punëdhënësi për leje unike për të huajt” – (https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=16407)  i ndihmon bizneset të depozitojnë kërkesën për lejen unike nëpërmjet një formulari të detajuar, ku u duhet të japin informacion të saktë për shtetasin që kërkojnë të punësojnë, si dhe të ngarkojnë dokumente specifike që variojnë nga fotografitë e kryera në 6 muajt e fundit, fotokopjen e dokumentit të vlefshëm të udhëtimit, ftesën e nënshkruar nga persioni fizik ose juridik, shqiptar ose i huaj rezident në Shqipëri, për të vijuar me dëshminë e aftësimit profesional dhe kontratën ose marrëveshjen mes subjektit dhe agjencisë së licencuar, në rastet kur përzgjedhja e kandidatëve është bërë nga një agjenci e tillë.

e-Albania u ofron aplikuesve që të kryejnë procedurën e pagesës online, por bizneset mund të zgjedhin ta dorëzojnë pagesën pranë sportelit fizik të bankave të nivelit të dytë. Gjurmimi i aplikimit mundësohet online, nëpërmjet një kodi të posaçëm që pajiset aplikanti, duke ofruar transparencë dhe informacion koherent mbi statusin e procedurës.

Brenda 8 ditësh, duke marrë miratim për punësimin dhe vizën e tipit ‘D’, shtetasit të huaj i krijohet mundësia të hyjë në territorin shqiptar dhe të nisë aktivitetin e tij si punëmarrës. Në momentin kur shtetasi i huaj hyn në territorin shqiptar, pajisjet me lejen e qendrimit provizore, të pajisur me vulë elektronike. Ndërkaq Leja e Qendrimit mbërrin në adresën personale të e-mail-it, të shtetasit të huaj që do të jetojë dhe punojë në vendin tonë, brenda harkut kohor 4 deri në 12 javë nga momenti i aplikimit, përfshirë edhe rastet kur kërkohet plotësim dokumentacioni.

Me këto dy shërbime të reja, plotësohet kuadri i shërbimeve online për lejen unike, që u vijnë në ndihmë si shtetasve të huaj që kërkojnë të qëndrojnë dhe punësohen në Shqipëri, ashtu edhe subjekteve tregtare që të përfundojnë shpejt dhe thjeshtë procedurat e punësimit.