Inaugurohet platforma e Qendrës së Botimeve Zyrtare, e cila është ngritur mbi një sistem inovativ dhe modern, për të gjithë juristet, qytetaret e zakonshëm apo profesioniste nga entitete te tjera publike dhe private.

Prezantimi i platformës u realizua në prani të ministres së Drejtëisë, znj. Etilda Gjonaj, zëvendësministrit të Drejtëisë, z. Toni Gogu, drejtoreshës së përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, kreut të Qendrës së Botimeve Zyrtare, znj. Etleva Haxhia, zyrtarevë të lartë të institucioneve shtetërore, ambasadorë, punonjës të administratës publike, juristë, etj.

“Në sistemin inovativ dhe modern, mbi të cilin është ngritur platforma, janë përdorur teknologjitë më të fundit për të ofruar një eksperiencë sa më të lehtë dhe të këndshme për përdoruesit publikë, por dhe për punonjësit të cilët punojnë për azhornimin e tij.Të gjitha proceset e punës të bazuara në kuadrin ligjor janë të informatizuara. Ky informatizim sjell uljen e marzhit të gabimeve njerëzore në një masë të konsiderueshme, pasi punonjësit tanimë të gjithë aktivitetin e kryejnë nëpërmjet sistemit. Më lejoni t’ju marr si shembull, rastet kur shfuqizohet apo ndryshohet një akt ligjor; sistemi realizon njoftim automatik për personat përgjegjës dhe konkretisht çështjet që duhen trajtuar nga secili, shoqëruar dhe me afatet përkatëse, me qëllim azhornimin e tyre. Më këtë zhvillim kemi reduktuar dokumentet në letër dhe i kemi transformuar në mundësinë e marrjes online, kryesisht për palë të treta që informohen me ndryshimet e vazhdueshme të akteve të publikuara në platformë”, u shpreh drejtuesja e AKSHI-t.

Më tej, znj. Karçanaj theksoi se në platformë gjenden të gjithë dokumentet janë të indeksuara, çka do të thotë se mjafton të kërkoni me disa fjalë kyçe dhe menjëherë do t’ju shfaqen rezultatet të renditura sipas rëndësisë dhe vendit, ekzaktësisht aty ku ai togfjalësh është përmendur.

Një funksionalitet tjetër, tepër i çmuar veçanërisht për juristët është mundësia për të parë në mënyrë grafike çdo ndryshim që ka pësuar një akt në kohe, duke e bërë navigimin të këndshëm, të lehtë dhe me gjithë informacionin e nevojshëm për një akt duke përfshirë:

  • Aktet e ndërlidhura
  • Aktet e shfuqizuara
  • Aktet mbi te cilat bazohet etj.

Gjatë prezantimit të platformës, drejtoresha e QBZ-së, znj. Haxhia theksoi se sistemi është tërësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, ku më konkretisht po përmend indikatorin ELI (European Legislation Identifier), i cili ndër të tjera ofron një mundësi për të unifikuar dhe identifikuar në një formë të mirëpërcaktuar legjislacionin europian online për të gjithë shtetet që e përbëjnë atë.

Ministrja Gjonaj, ndër të tjera, shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e shkëlqyer mes AKSHI-t dhe QBZ-së për realizimin e këtij produkti inovativ dhe efikas për përdoruesit.

Në eventin promovues të platformës, znj. Karçanaj, përmendi edhe disa prej arritjeve të fundit të AKSHI-t, sic është portali i të dhënave të hapura qeveritare “opendata.gov.al”, krijimi i shtëpisë së teknologjisë më moderne në Shqipëri në dobi të të rinjve dhe startup-eve “TechSpace”, për ngritjen e sistemeve të reja që do të konkretizohen muajt në vijim, si dhe për mirëfunksionimin e Platformës Qeveritare të Ndërveprimit mbi të cilën funksionon e-Albania.