English version

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është e vendosur, që kur bëhet fjala për mbrojtjen e mjedisit, burimeve dhe përdorimin eficient të energjisë, me anë të zgjidhjeve inteligjente, punën ta nisë fillimisht nga selia qendrore e saj. Tashmë, prej disa kohësh, ka nisur planifikimi për zbatimin e zgjidhjeve ‘green’ në DataCenter-in qeveritar, për të bërë të mundur kursimin deri në 20 % të energjisë në zonën më të ndjeshme të godinës, e cila konsiderohet një pikë kyçe për infrastrukturën e Teknologjisë së Informacionit për gjithë administratën publike shqiptare.

Shqipëria po zhvillohet me ritme shumë të shpejta, por njëkohësisht dhe të sigurta, duke vendosur si prioritet krijimin e planeve për transformimin digjital dhe më pas aplikimin konkret të tyre, me një vëmendje të shtuar ndaj kursimit të energjisë dhe shfrytëzimit të kujdesshëm të burimeve.

Paralelisht me përpjekjet që bëhen nga institicionet shqiptare, mbështetja vjen edhe nga Bashkimi Europian. “Go Green” është një projekt i mundësuar nga programi i bashkëpunimit Interreg Mediterranien, që synon zgjidhjet ‘smart’, në një mjedis të gjelbër dhe ekologjik, . Vlera e shtuar që sjell ky projekt është promovimi dhe mbështetja e digjitalizimit të qendrueshëm duke mbrojtur mjedisin.

AKSHI mori pjesë në takimin që mblodhi përfaqësues të BE-së, të programit dhe vendeve pjesëmarrëse, zhvilluar në data 12-14 korrik, në Qipro. Drejtori i BCC BackUp dhe DRC Aldo Kita, i cili prezantoi ecurinë e deritanishme të projektit në Shqipëri, vuri theksin se Qeveria Shqiptare synon të përmirësojë efikasitetin e përdorimit të energjisë, në një infrastrukturë kritike të informacionit, siç është DataCenter-i Qeveritar.

“Teknologjitë digjitale mund të ofrojnë zgjidhje ‘green’ për sektorë të ndryshëm të ekonomisë por po aq i rëndësishëm është dhe përdorimi i këtyre zgjidhjeve ‘green’ edhe për vetë sektorin digjital. Sistemet ‘smart’ të energjisë dhe rrjetet e komunikimit ndihmojnë drejtpërdrejtë në një menaxhim sa më eficient dhe të qendrueshëm të energjisë që konsumohet. DataCenter-i qeveritar në Shqipëri është ndërtuar sipas standardeve më moderne. E megjithatë, falë mbështetjes së ’Interreg Mediterranien’ ne synojmë që të rrisim efektivitetin e përdorimit të energjisë në këto ambiente, duke reduktuar shpenzimet e njëkohësisht duke mbrojtur mjedisin. Ndërkohë, po punojmë vazhdimisht në menaxhimin më të mirë të rrjetit  elektrik dhe të monitorimit të parametrave të paneleve elektrike. AKSHI po zbaton zgjidhje të avancuara teknologjike me anë të të cilave do të bëjë të mundur që energjia e konsumuar të përdoret me eficiencë dhe rrjedhimisht burimet mjedisore të mbrohen e të shfrytëzohen në mënyrë të kujdesshme dhe në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian lidhur me burimet energjitike dhe mbrojtjen e mjedisit,”  u shpreh Kita.

Por si do të mundësohet projekti dhe çfarë pritet të realizohet

Përmes zbatimit të këtij projekti, ku sipas përllogaritjeve të AKSHI-t, do të përfitohet një reduktim në masën 18 deri në 20 % të shpenzimit të energjisë elektrike, do të mundësohet modernizimi i sistemit të ndriçimit duke përdorur sensorët e dedektimit të lëvizjes dhe duke e transformuar të gjithë atë në teknologjinë LED. Ky sistem do të ofrojë protokolle komunikimi për sisteme komandimi të cilët do të komunikojnë me software të dedikuar për të bërë të mundur komandimin e tyre.

Në të gjithë ambientet e DataCenter-it do të instalohen sensorë të veçantë në panelet elektrike të cilët do të masin efektivitetin e energjisë që konsumohet, temperaturën dhe parametra të tjerë në kohë reale. Të gjithë pajisjet që do të instalohen do të integrohen me sisteme inteligjente kontrolli, monitorimi dhe analizimi të cilët mbështetur në vlerësimin e parametrave të dedektuar do të pasqyrojnë dhe do të sugjerojnë masat e nevojshme për të mundësuar kursimin dhe përdorimin sa më eficient të energjisë.

Në kuadër të këtij projekti, do të vendosen pajisje monitoruese të konsumit për makineri të veçanta të cilat kërkojnë burime të mëdha energjie. Implementimi i këtyre zgjidhjeve dhe teknologjive do të bëjë të mundur që ambientet e DataCenter-it Qeveritar të shfrytëzojnë në mënyrë eficiente energjinë dhe të shërbejnë si një praktikë e mirë për të gjithë infrastrukturat e tjera që konsumojnë sasi të madhe energjie.

Zgjidhja dhe teknologjia e ofruar që do të implementohet në DataCenter është e fjalës së fundit dhe do të garantojë një zbatim të suksesshëm të projektit.

Teknologji të ngjashme, të të njëjtës markë me ato që do të implementohen në ambientet e DataCenter-it të AKSHI-t, i kanë mundësuar vendeve të Bashkimit Evropian, si p.sh. Italisë të ripërdorin 40% të totalit të energjisë së konsumuar.