Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit vlerëson bashkëpunimin mes Polonisë dhe Shqipërisë në fushën e digjitalizimit dhe aftësive digjitale, si komponentë kryesorë për integrimin në teknologji dhe përdorimin efikas të saj, në jetën e qytetarëve dhe bizneseve në të dy vendet.

Drejtoresha e Inovacionit pranë AKSHI-t, Romina Kostani, e cila mori pjesë në sesionin e 7-të të bisedimeve të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik Shqipëri-Poloni, theksoi se puna e përbashkët në fushën e teknologjisë dhe shkëmbimi i përvojave është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin dhe adaptimin efikas të teknologjive të reja.

“Në fushën e edukimit dhe aftësimit digjital, qeveria shqiptare ka treguar një vëmendje të shtuar dhe është plotësisht e angazhuar për të investuar që nga fëmijët e klasës së parë ashtu edhe tek të rinjtë që duan të profilizohen në fushën e teknologjisë së Inovacionit. Kemi prezantuar për herë të parë kodimin dhe lëndën e teknologjisë që në klasë të parë dhe politika nxitëse për të rinjtë që duan të zhvillojnë aftësi të caktuara digjitale lidhur me teknologjitë e reja, si Inteligjence Artificiale, Blockchain e Machine Learning, që janë shumë të nevojshme për të mundësuar transformimin digjital në vend”, u shpreh Kostani.

Një shkëmbim i vyer eksperience, – vijoi Kostani, – do të ishte përçimi i përvojës polake, e cila ka krijuar akademi të suksesshme në përgatitjen e të rinjve në fushën e TIK, por edhe të qytetarëve të tjerë në një moshë më të avancuar.

Në takimin e zhvilluar në Tiranë, u ra dakord për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash në infrastrukturën e inovacionit, në hartimin e dokumenteve strategjike, në hartimin dhe zbatimin e politikave në këtë drejtim. Shqipëria, tashmë ka treguar se përmes AKSHI-t dhe portalit qeveritar e-Albania ka bërë të mundur ofrimin e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset dhe sot 95 për qind e shërbimeve publike ofrohen online, duke qenë një nga vendet më të përparuara në Ballkan në fushën e teknologjisë.