Negociatat e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian janë një proces i gjatë, i detajuar dhe me procedura të pandërprera, për të cilat vëmendja dhe interesi i publikut është gjithnjë i madh. Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, organizoi këtë të premte takimin “Të rinjtë dhe negociatat me BE-në”, me qëllim zhvillimin e një debati publik rreth për anëtarësimin dhe përfitimet që vijnë prej tij, e njëkohësisht të bëjë pjesë integrale të procesit të rinjtë, duke i informuar dhe promovuar pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje.

Transformimi digjital i institucioneve publike, përshtatja e legjislacionit në tërësi me atë të BE-së, rritja e sigurisë kibernetike, si dhe shtrirja e edukimit dhe aftësimit digjital ishin disa nga pikat kryesore, për të cilat drejtoresha e Inovacionit dhe Promovimit e-Gov, si përfaqësuese e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit në takim, iu përgjigj pyetjeve dhe kureshtjes së të rinjve pjesëmarrës.

Duke u ndalur fillimisht në sfidat kryesore të shtetit shqiptar në fushën e këtij transformimi,ku e-Albania konsiderohet tashmë një histori e vërtetë suksesi, përfaqësuesja e AKSHI-t, Romina Kostani theksoi se revolucioni digjital mundësoi drejtësi, komoditet për qytetarët, goditjen e korrupsionit dhe i dha një shtysë ekonomisë së shekullit të 21-të, ku shteti dhe zyrtarët janë në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.

“Vizioni i qeverisë për marrjen e dokumenteve administrative menjëherë në kohë reale, i hapi rrugë legjitimimit të vulës elektronike.Ky ishte lëshimi online i dokumenteve me vulë institucionale, që kanë të njëjtën vlerë ligjore me dokumentet në letër. Në portalin e-Albania sot ka 1227 shërbime publike online, që u kanë kursyer qytetarëve dhe bizneseve, mbi 1000 vite pritje në radhë, ndërsa deri në fund të vitit 2022, përllogariten 265 milionë transaksione në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit”, u shpreh Kostani, duke përmendur mbylljen e sporteleve fizike nga 1 Maji 2022, si dhe vlerësimet ndërkombëtare për hapat domethënës të Shqipërisë në këtë drejtim.

Agjenda Digjitale është një hartë strategjike udhëzuese për integrimin e vendit, për të cilën gjithashtu të rinjtë shprehën kuriozitet të mësonin më shumë.

“Qëllimi Agjendës Digjitale të Shqipërisë 2022 – 2026 është vendosja e synimeve për vitet e ardhshme, duke ndjekur platformat moderne të të dhënave dhe teknologjive digjitale për t’u njohur me nevojat e qytetarit kapërcimin e mungesës së burimeve dhe përshtatjen me mënyrën e re të punës në distancë duke avancuar më tej me digjitalizimin e shërbimeve të qeverisë dhe zhvillimin e kapaciteteve kibernetike”, theksoi Kostani, duke shtuar se kjo strategji synon të nxisë investimet në zonat kyçe të informatikës së avancuar dhe përpunimit të të dhënave, inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike dhe aftësive të përparuara digjitale të nevojshme për t’i zhvilluar ato.

Një nga prioritetet e Agjendës Digjitale të Shqipërisë është edukimi dhe aftësimi  digjital i fëmijëve dhe të rinjve, ndaj qeveria po punon me shkollat dhe universitetet për t’i integruar teknologjitë digjitale në sistemin arsimor dhe ofrimin e programeve të trajnimit dhe zhvillimit të aftësive për të rriturit.

“Qeveria shqiptare ka në fokus përhapjen e mësimit të kodimit dhe programimit edhe te fëmijët e vegjël, ndaj është mundësuar lënda e kodimit që në klasë të parë dhe 100 shkolla në Tiranë tashmë janë pajisur më laboratorë Smart , që së shpejti do të shtrihen në mbarë vendin”, bëri më dije Kostani.

Bashkë me progresin digjital të Shqipërisë, rritet edhe rreziku për të rënë pre e sulmeve kibernetike, ndaj krah vëmendjes së shtuar të institucioneve përgjegjëse të sigurisë,  tashmë ka nisur puna për hartimin e legjislacionit të posaçëm.”Për fatin tonë të mirë, Shqipëria nuk është vetëm në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike. Aleatë të fortë kemi BE-në, SHBA-të, por edhe po bashkëpunojmë më vendet e rajonit dhe po marrim ekspertizë të vyer nga organizma të tjerë ndërkombëtarë”, vijoi Kostani.

E pyetur nëse parashikohen risqe, për përshtatjen e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, për kapitullin 10 “Shoqëria e Informacionit dhe Media”, Kostani sqaroi se përafrimi i legjislacionit është një proces i vazhdueshëm dhe kompleks.

“Për fushën e Shoqërisë së Informacionit dhe Medias, legjislacioni duhet të jetë i përditësuar në mënyrë të vazhdueshme në përputhje me standardet e BE-së. Ky proces kërkon kohë pasi përfshin studimin e tyre, analizimin e elementëve të dispozitave që mund të përfshihen në legjislacionin kombëtar”, theksoi përfaqësuesja e AKSHI-t.

Institucionet shqiptare vijojnë në mënyrë të pandërprerë takime në Komisionin Europian për të raportuar progresin e bërë, ndërkohë që AKSHI së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës raportojnë për kapitullin 10 “Shoqëria e Informacionit dhe Media”.