Për të diskutuar rreth qeverisjes inovative të së ardhmes dhe nismave të Inteligjencës Artificiale në rajonin tonë, Shkolla Sezonale për Transformimin Digjital për vitin 2024, mblodhi në një takim përfaqësues nga Ballkani Perëndimor. mes të cilëve edhe drejtues të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Kreu i Inteligjencës Artificiale dhe Licencimit të Kriptomonedhës, pranë AKSHI-t, Enio Kaso, prezantoi përpara të pranishmëve ndryshimet e mëdha cilësore që kanë nisur dhe do të ndodhin shumë shpejt në Shqipëri, në drejtim të integrimit të Inteligjencës Artificiale dhe zgjidhjeve të tjera teknologjike moderne në disa fusha.

Një nga projektet më të suksesshme të AKSHI-t është Asistenti Virtual i e-Albania, i cili ka arritur rreth 600,000 angazhime të qytetarëve vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024. Ky projekt, i zhvilluar në bashkëpunim me Microsoft dhe duke përdorur GPT-4, ka qenë një hap i madh drejt përmirësimit të aksesit dhe cilësisë së shërbimeve digjitale, i cili shumë shpejt, falë AI, do të bëjë të mundur ofrimin e asistencës në kohë reale me zë dhe figurë, një zhvillim që do të vendosë një standard avantguard në komunikimin mes qytetarëve dhe bizneseve dhe portalit e-Albania.

Procedura e prokurimeve publike, – theksoi Kaso, – do të zhvillohet në një tjetër sfond më të përparuar,pasi kryerja e vlerësimit automatik të plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për kualifikimin e ofertuesve, si dhe zhvillimin e sistemit dinamik të blerjes dhe ankandit elektronik duke përdorur inteligjencën artificiale

E për më tepër, Shqipëria ka çelur siparin e integrimit të AI, në procesin e Transpozimit të Aqcuis për Integrimin Evropian

“Ky automatizim përfshin shtimin e teknologjisë AI në institucionet publike për menaxhimin e kërkesave dhe dhënies së informacioneve të dëshiruara, të marra nga aktet e BE ndaj të gjithë përdoruesve të platformës përgjatë gjithë kohëzgjatjes së këtij projekti”, theksoi Kaso.

Në këtë event, Z. Kaso, ndau përvojën dhe sukseset e Shqipërisë në transformimin digjital të shërbimeve publike, ku 95% të shërbimeve publike ofrohen në mënyrë digjitale përmes platformës e-Albania, duke reduktuar masivisht burokracitë, eliminuar korrupsionin dhe duke rritur transparencën dhe besimin e qytetarëve dhe biznesit tek instititucionet publike.