Fillimi i këtij viti shënoi për Shqipërinë kthesën kryesore të politikave digjitalizuese të ndërmarra nga qeveria, me objektiv kryesor masivizimin e aplikimeve online në masën 95 për qind, deri në dhjetor të 2020-s.

Prej 1 janarit, falë revolucionit të mirëfilltë digjital, të theksuar nga Kryeministri Edi Rama, si një evolucion real të komunikimit online të shtetit në raport me qytetarin shqiptar,u shtuan në platformën e-Albania  472 aplikime për shërbime, duke u shoqëruar edhe me ndryshimin e perceptimit të njerëzve për mënyrën e marrjes së një shërbimi publik.

Një prej procedurave të shumta, që kryhen sot përmes e-Albanias, është edhe mundësia që u jepet bizneseve, që të aplikojnë online, në mënyrë që punëmarrësit e tyre të përfitojnë shpërblimin e lindjes. Punëdhënësi aplikon sot lehtësisht nëpërmjet shërbimit elektronik “Kërkesë për shpërblim lindje për personat e punësuar”, në kohën dhe vendin që zgjedh ai vetë, duke evituar njëherë e mirë radhat dhe ecejaket e panevojshme.

Cilat janë hapat që ndiqen online për të përfituar shpërblimin e lejes së lindjes?

Për të kryer me sukses një aplikim, fillimisht duhet të kryhet procesi i regjistrimit në platformën e-Albania, prej titullarit të institucionit ose përfaqësuesit ligjor të tij, nëse nuk është kryer më herët kjo procedurë. Titullari, nga llogaria e tij personale tek e-Albania,  identifikohet në portal dhe më pas duhet të drejtohet te rubrika “Hapësira ime” e më pas te nënrubrika “Regjistro nje biznes”, duke plotësuar me të dhënat e institucionit, formularin që shfaqet online.

Më kryerjen e regjistrimit si biznes në portal, titullari duhet të hyjë në platformë duke zgjedhur opsionin “Identifikimi i qytetarëve/bizneseve me fjalëkalim” dhe të vendosë te Kodi i Përdoruesit NIPT-in e institucionit dhe fjalëkalimin e zgjedhur për këtë llogari online.

Me identifikimin me sukses në platformë, duhet zgjedhur shërbimi elektronik: “Kërkesë për shpërblim lindje për personat e punësuar” dhe të nisë aplikimi online duke klikuar butonin “Përdor”.

Nëse bëhet fjalë  për një aplikim që duhet të kryhet rishtazi, përdoruesi i shërbimit duhet të klikojë butonin “Aplikim i ri”, ku menjëherë do t’i shfaqet formulari online.

Në fillim do të zgjedhë drejtorinë rajonale të qarkut ku ndodhet dhe vepron, ndërkohë që në seksionin e parë të formularit të dhënat janë plotësuar automatikisht për subjektin, falë ndërveprimit të sistemeve elektronike të institucioneve shtetërore të përfshira në procedurë.

Në seksionin e dytë të formularit, punëdhënësi vendos numrin identifikues të punonjësit që do të përfitojë shpërblimin duke mundësuar plotësimin automatik të të dhënave.

Në pjesën e tretë të formularit, zgjidhet nëse shpërblimi është përpara lindjes ose pas lindjes, duke e shoqëruar opsionin e dytë edhe me numrin ose numrat identifikuese të fëmijës ose fëmijëve të lindur; zgjidhet muaji specifik për kalimin e shpërblimit dhe mënyrën që do të merret, nëse do të jetë nërpërmjet postës apo bankës.

Në fund të aplikimit ndodhet një tabelë e dokumentacioneve që duhet të sigurohen, prej të cilave:  Vërtetim i derdhjes së kontributit si i/e vetëpunësuar në qytet/bujqësi/subjekt; listëpagesa e përfitimeve afatshkurtra; certifikata familjare dhe certifikatë lindje ose shpërblim, të cilat ndodhen në anën e majtë  sigurohen online nga institucionet shtetërore dhe dokumentet në të djathtë që duhet të sigurojë punëdhënësi, i cili i ngarkon ato në platformë, specifikisht: Raporti mjekësor për barrëlindje apo dokumente të tjera shtesë në varësi të situatës.

Pas plotësimit të formularit, ngarkimit të dokumentacioneve dhe klikimit të butonit “Apliko”, procedura rezulton e kryer nga ana e aplikantit.

Shërbimi bën të mundur që aplikuesi të gjurmojë statusin e aplikimit të tij. Më përfundimin e gjithë veprimeve, punëmarrësi përfiton shpërblimin e lindjes dhe punëdhënësi lehtësisht ka kryer veprime, për të cilat më parë i duhej që t’i kryente fizikisht pranë sporteleve të Insitutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në platformën e-Albania, qytetarët dhe bizneset do të gjejnë brenda muajit qershor edhe 395 aplikime për shërbime dhe në 2020-s do të shtohen edhe 394 shërbime te tjera, duke përmbushur premtimin e dhënë publikisht nga Kryeministri Rama.