“Stafi i AKSHI-t, asistencë në kohë reale çdo qytetari”

Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj ka dalë të hënën, në një reagim përmes rrjeteve sociale, për të përcjellë shifrat e fundit të përdorimit të shërbimit elektronik “Leje për dalje”.

Duke qenë shërbimi më i kërkuar i orëve të fundit, me një fluks të pahasur më parë të qytetarëve tek platforma, e-Albania pati vështirësi aksesimi.
Megjithatë, falë punës së specialistëve të fushës, infrastruktura u përmirësua ndjeshëm dhe tanimë gjithçka po ecën me shpejtësi dhe në dispozicion të plotë të publikut.

“Për shkak të një fluksi të madh e të menjëhershëm klikimesh, e-Albania, hera-herës aksesohej me vështirësi. E pavarësisht kësaj, u dhanë plot 116 mijë e 562 leje të menjëhershme për dalje vetëm nga portali dhe 75 mijë e 573 përmes SMS-ve në numrin 55155”, u shpreh znj. Karçanaj.

Kreu i AKSHI-t falenderoi mbi 50 punonjës të institucionit që ajo drejton, të cilët punuan pareshtur në ndihmë të mijëra qytetarëve për përditësimin e të dhënave në llogaritë e tyre në e-Albania dhe iu përgjigjën pyetjeve mbi procedurën e thjeshtë të aplikimit.

Znj. Karçanaj ftoi publikun të jetë i vëmendshëm ndaj masave të qeverisë, duke qëndruar të izoluar në shtëpi dhe duke respektuar fashat e orareve të vëna në dispozicion për lëvizjen e tyre.