AKSHI: Nismat e ndërmarra për digjitalizimin e shërbimeve sociale, ndaj fëmijëve dhe familjeve shqiptare

Përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare në Shqipëri, mbi zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara në fushën e të drejtave të njeriut, është prezantuar nga delegacioni shqiptar, përgjatë punimeve të Sesionit të 94-t, të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës, mbajtur në Gjenevë, në datat 4-5 shtator.

Raporti i përbashkët i Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si edhe i ministrive të linjës, nxorri në pah disa nga nismat e ndërmara nga qeveria shqiptare, për të siguruar përmes teknologjisë më shumë mundësi, lehtësi dhe siguri, për fëmijët dhe familjet, duke pasur në fokus edhe fëmijët me aftësi të kufizuar.

Në këtë drejtim, AKSHI do të përshtasë portalin qeveritar e-Albania, në përputhje me standardet ndërkombëtare të qasjes në internet, për të siguruar akses të barabartë në shërbimet elektronike sociale, për këtë kategori fëmijësh.

Në lidhje me ofrimin e të dhënave dhe shërbimeve sociale, AKSHI ka realizuar një transformim të rëndësishëm, duke implementuar Regjistrin Elektronik Kombëtar për Shërbimet Sociale. Ky digjitalizim ka ndihmuar në lehtësimin e proceseve administrative dhe e ka bërë më efikas marrjen e vendimeve.

E pranishmë në këtë Sesion, përfaqësuesja e AKSHI-t, Sonja Sinorukaj, Drejtore e Drejtorisë së Marrëdhënieve e-Gov me Institucionet, theksoi rëndësinë e këtij digitalizimi për ndihmën dhe mbështetjen e mëtejshme të fëmijëve dhe familjeve.

Në prezantimin e saj, ajo renditi përfitimet e shumta të proceseve të digjitalizimit të shërbimeve sociale në Shqipëri, si:

Lehtësimi administrativ: Përdorimi i një platforme të integruar ka reduktuar barrën e dokumentacionit dhe ka lejuar punonjësit të fokusohen më shumë në ofrimin e kujdesit të nevojshëm për fëmijët dhe familjet.

Transparenca dhe përgjegjësia: Çdo detaj i ofrimit të shërbimeve regjistrohet sistematikisht, duke siguruar transparencë dhe përgjegjësi, ç’ka ndihmon në parandalimin e rasteve të abuzimit.

Ndërveprimi dhe efikasiteti: Lidhja me regjistrat kombëtarë ka lehtësuar ndarjen dhe referencimin e të dhënave, duke përmirësuar ndarjen e burimeve dhe vendimet e bazuar në të dhënat reale.

Vlerësimi dhe ndjekja e progresit: Aftësia e sistemit për të prodhuar vlerësime dhe ndjekur progresin e planeve të trajtimit dhe kujdesit, ka ndihmuar në vlerësimin e efikasitetit të ndërhyrjes dhe sigurimin e ofrimit të kujdesit të duhur.

Inovacioni në mënyrën e ofrimit të shërbimeve sociale ka ndikuar pozitivisht në kujdesin ndaj fëmijëve dhe familjeve në Shqipëri. Digjitalizimi i proceseve dhe qasja e bazuar në të dhëna kanë përmirësuar jetën e qytetarëve dhe kanë shpërblyer përpjekjet e të gjithë atyre që janë angazhuar për të garantuar të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në vendin tonë.

Ky sesion i Komitetit për të Drejtat e Fëmijës ka vënë edhe një herë më shumë theksin tek angazhimi i pandal i qeverisë shqiptare për t’i shërbyer më mirë interesave e të drejtave të fëmijëve dhe familjeve.