Sezoni veror 2024 është ende larg, por nga sot, në portalin e-Albania janë hapur aplikimet online për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, nga të gjithë bizneset e interesuara.

Për të katërtin vit radhazi, subjekteve u krijohet mundësia të dërgojnë online kërkesën për marrjen në përdorim të hapësirës së plazhit gjatë sezonit turistik, të cilën e trajton Agjencia Kombëtare e Bregdetit, sipas prioriteteve dhe kushteve të përcaktuara, në varësi të strukturave akomoduese apo shërbyese që subjektet aplikuese zotërojnë. Një nga kushtet është që sipërfaqja e lejuar e strukturës së shërbimit mund të jetë deri në 10 % të të gjithë sipërfaqes së miratuar të stacionit të plazhit, por, në çdo rast, nuk mund të tejkalojë sipërfaqen totale prej 60 m2.

Edhe pse duket si një procedurë e gjatë dhe e ndarë ne tre faza: aplikim, negocim dhe lidhje e kontratës, aplikimi online zgjat vetëm një minutë dhe çdo njoftim për të kaluar nga një hap në tjetrin i mbërrin subjektit aplikues elektronikisht.

Shërbimin elektronik “Kërkesë për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi”, (https://bitly.ws/Zu7t) përdoruesit e aksesojnë si biznes, duke plotësuar kërkesën sipas formatit standard. Përzgjidhet një nga numrat identifikues të  stacionit të plazhit, sipas hartës digjitale të hapësirave të lejuara dhe ngarkohet dokumentacioni e nevojshëm:

  • Plani i operimit për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi dhe strukturë shërbimi;
  • Foto të jashtme të qarta të strukturës akomoduese ose të shërbimit, si dhe foto të qarta të hapësirës së plazhit për të cilën është bërë kërkesa;
  • Projekti arkitektonik, në rast se kërkese të vendosjes së strukturës së shërbimit.

Pas kalimit me sukses të fazës së parë, aplikuesi së bashku me AKB-në dhe njësinë vendore njoftohen elektronikisht nëpërmjet portalit e-Albania, për hapjen e fazës së dytë të negocimit , ku kërkohet veç ngarkimit të dokumenteve të mëposhtme, të plotësohet edhe kushti i domosdoshëm për vrojtuesin, me të cilin duhet të jetë lidhur një kontratë paraprake:

  • Planvendosja përkatëse për sipërfaqen konkrete të miratuar të stacionit të plazhit;
  • Vërtetimi i pagesës së kryer sipas tarifave të miratuara;
  • Pagesa e detyrimit në bashki për sipërfaqen e miratuar të strukturës së shërbimit;
  • Vërtetimi nga autoritetet tatimore se subjekti ka shlyer të gjitha detyrimet tatimore.

Me përfundimin me sukses edhe të fazës së dytë, miratohet kërkesa për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, konfirmim ky që i shkon aplikuesit nëpërmjet e-Albania për t’u përmbyllur me nënshkrimin e kontratës nga 1 deri 5-vjeçare dhe lëshimin e certifikatën përkatëse.

Aplikimi online nëpërmjet portalit e-Albania në shërbimin elektronik të posaçëm mbetet e vetmja mënyrë transparente dhe e sigurt për të operuar si stacion plazhi i menaxhuar.