Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ishte pjesë e delegacionit shqiptar të bisedimeve mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, zhvilluar në kuadër të Takimit të 12-të të Grupit të Posaçëm për Reformën në Administratën Publike (PAR SG), për t’i prezantuar zyrtarëve të Brukselit ecurinë e vendit në zbatimin e reformave, bazuar në parimet themelore të mirëqeverisjes dhe ndryshimeve të kërkuara në administratën shtetërore.

Drejtuesja e portalit e-Albania, Nevila Repishti bëri një paraqitje të shkurtër për zhvillimin e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset, të cilët sot marrin 95 për qind të shërbimeve të shtetit online, ndërsa vetëm 5 për qind e tyre kërkon paraqitje fizike pranë sporteleve të institucioneve publike.

“Nga janari deri në maj të vitit 2024, – theksoi Repishti, –  është dyfishuar numri i aplikimeve për shërbime publike krahasuar me vitin pararendës dhe po kaq edhe numri i dokumenteve të gjeneruara me vulë elektronike, fakt që tregon se qytetarët dhe bizneset shqiptare janë përshtatur me klimën e komunikimit elektronik me shtetin dhe besimi i tyre tek institucionet është rritur.”

Falë një projekti gjigand me Bankën Botërore, jo vetëm që do të ketë ndryshime në portalin e-Albania, ku do të ofrohen shërbime elektronike më të organizuara dhe më të lehta për përdoruesit, por njëkohësisht do të krijohen infrastruktura të nevojshme teknike për mbështetjen e të rinjve në krijimin e startup-eve dhe në ofrimin e kushteve dhe mundësive për trajnime lidhur me aftësitë digjitale, duke siguruar kështu fuqizim dhe integrim të barabartë digjital.

Por, Shqipëria digjitale kërkon që të transformohet në një vend me qeverisje digjitale brenda vitit 2030 dhe për të arritur qëllimin, vijon të zbatojë me përpikmëri Agjendën Digjitale 2022-2026, pjesë e të cilës është integrimi i teknologjive të avancuara moderne, përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale me objektiv lidhjen e bizneseve, qytetarëve dhe administratës publike me teknologji dhe burime të avancuara.

“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) po punon në mënyrë aktive për avancimin drejt e-qeverisjes së plotë dhe digjitalizimin e administratës publike, duke kërkuar të rrisë aksesin e qytetarëve të të gjitha fashave dhe problematikave, si dhe të bizneseve vendase dhe të huaja rezidente në Shqipëri, falë përmirësimit të cilësisë së shërbimeve publike elektronike. Kjo përpjekje ka për qëllim rritjen e efikasitetit dhe transparencës së administrates”, u shpreh Repishti.

Takimi i 27 qershorit shënoi edhe një tjetër hap të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërmjet Brukselit zyrtar dhe Shqipërisë, me synimin për përshpejtim të zbatimit të reformave, në përputhje me standardet europiane.