e-Albania do të vijë për qytetarët dhe bizneset me një ndryshim thelbësor, të bazuar mbi konceptin e “ngjarjeve të jetës”, duke i kategorizuar dhe shndërruar shërbimet elektronike në proaktive. Një ndryshim tjetër mjaft i rëndësishëm do të jetë lehtësimi i marrjes së asistencës lidhur me shërbimet elektronike, duke mundësuar aksesueshmërisë nëpërmjet komandave zanore.

Drejtuesja e portalit qeveritar e-Albania, Nevila Repishti, bëri me dije se të dyja ndryshimet do të sjellin lehtësi të mëdha në përdorimin e shërbime publike nga qytetarët dhe bizneset.

Ngjarjet e jetës, si p.sh. lindja e një fëmije, kërkimi i një vendi pune, ndryshimi i vendbanimit, i kërkesës së personave që aplikojnë për pension, kërkesës për të çelur një biznes apo ngjarje që lidhen me paaftësinë për punë, do të organizohen dhe kategorizohen në mënyrë automatike sipas profilit të kërkesës që ka qytetari. Falë zgjidhjeve teknike, secili përdorues, nëse kërkon të shërbehet për një prej këtyre ngjarjeve, automatikisht do t’i shfaqen të gjitha shërbimet që lidhen njëri pas tjetrit, me qëllim finalizimin me sukses procedurave. “Nuk do të ketë më shërbime elektronike, që do të kërkohen një për një nga përdoruesit, por vetëm pas kërkimit fillestar në portalin e-Albania, automatikisht do t’i shfaqen të gjitha shërbimet e tjera të ndërlidhura me të. Me konceptet e ‘ngjarjeve të jetës’ dhe ‘asistentit zanor’, do t’u lehtësojmë qytetarëve dhe bizneseve marrjen e shërbimeve publike”, u shpreh Repishti

Drejtuesja e portalit, ndërsa theksoi se nga 1227 shërbime elektronike që janë sot tek e-Albania, 759 janë enkas vetëm për biznesin, njoftoi publikun se shumë shpejt, veç shërbimeve për pushtetin qendror, do të shtohen edhe shërbimet e bashkive të vendit, duke i mundësuar biznesit lehtësinë që të mbyllë ciklin e komunikimit me zyrat publike nëpërmjet e-Albania.

“Me e-Albania mund të kryhen një gamë e gjerë procedurash, që nga çelja e biznesit aplikimi për leje dhe licenca, mund të gjenerohen vërtetime tatimore e përmbarimore, mundësohet kryerja e pagesave, depozitimi i pasqyrave financiare, por edhe të paguhen taksat dhe tarifate vendore, nga njoftimi i detyrimit deri në marrjen e vërtetimit të likujdimit të shlyerjes së detyrimeve të pushtetit vendor”, tha Repishti, duke e përkthyer të gjithën, në ulje kostosh dhe kohe, si dhe reduktim maksimal të fenomenit të korrupsionit.

Aktualisht në portalin e-Albania ofrohen online 95 për qind e shërbimeve publike; 56 shërbime ofrojnë posaçërisht mundësinë e gjenerimit në kohë reale të dokumenteve me vulë elektronike, me vlerë të plotë ligjore. Prej 2017, përllogariten 28 milionë dokumente të gjeneruara, konvertuar në një mijë vite pritje në radhë nga qytetarët dhe bizneset. Ndër shërbimet më të reja të shtuara në portal janë ato për vërtetimin e pagës, për verifikimet e deklarimeve në kohë reale për deklaratat doganore për mallrat dhe pagesat e ndërmarra nga bizneset, leja unike për shtetasit huaj që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë, si dhe aplikimin për programet e formimit profesional nga Agjencia Kombëtare e Punësimit, përmes të cilit qeveria ka çelur edhe një program kodimi, duke mbështetur financiarisht të rinjtë e apasionuar pas Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.