Kryeministri Edi Rama prezantoi kreun e ri të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në një takim të posaçëm, ku ishte e pranishme edhe drejtuesja e Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj.

Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm mes institucioneve, ku AKSHI ka luajtur prej vitesh një rol të rëndësishëm, në digjitalizimin e 74 shërbimeve elektronike të ASHK-së, që ndodhen në portalin e-Albania, Karçanaj u ndal tek disa prej arritjeve kryesore të Kadastrës online.

“Kishim parë certifikata të gjendjes civile, dëshmi penaliteti, por kurrsesi nuk mendonim që do të kishim certifikata të pronave me vulë digjitale. E pra, sot të 74 shërbimet e kadastrës sot janë online në e-Albania; që nga regjistrimi fillestar i pronës tek regjistrimi i akteve të trashëgimisë, tek saktësimeve të kufijve. Deri më sot janë regjistruar 640 mijë aplikime vetëm nëpërmjet portalit e-Albania. Përfundimi: dokumente me vulë digjitale duke iu kursyer qytetarëve 110 vite pritje në radhët e tmerrshme të tyre pranë hipotekave”, theksoi Karçanaj.

Aktualisht, Kadastra ka një sistem të integruar që ju shërben, jo vetëm qytetarëve, por të gjithë institucioneve publike, duke i trajtuar aplikimet sipas radhës,duke i dhënë fund njëherë e mirë  mundësisë për abuzime.

“Janë reduktuar ndjeshëm aktet e verifikimit që sa janë të nevojshme kur duhet të dërgosh një dokument që mungon, po aq kanë qenë dhe abuzuese deri tani pasi shumë shpesh janë kërkuar dokumente që as nuk duhet të dorëzoheshin fare apo dokumente që ishin në sistem. Tani, ato janë totalisht të monitorueshme dhe sistemi identifikon, nëse kërkoni kot një aktverifikimit dhe qytetari njoftohet menjëherë nëpërmjet mesazhit në telefon ose nëpërmjet e-mailit mbi dokumentin që po kërkohet për llogari të tij. Sistemi është integuar me sistemin e qendërzuar të analizës së afatit të përgjigjes ndaj aplikimit që monitorohet nga Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje në cdo kohë. Pra agjencia shikon në kohë reale kush vonohet dhe përse vonohet. Kemi rikthyer modulin “Fast Track” për qytetarët që kërkojnë një shërbim më shpejt ku paguajnë më shumë. Por kto para nuk shkojnë në xhepin e punonjësve por shkojnë në buxhetin e ASHK-së që kjo të përmirësojë sistemet,” shtoi Karçanaj.

AKSHI ka bërë të mundur gjithashtu edhe krijimin e modulit të regjistrimit fillestar ku tashmë janë me nënshkrim elektronik digjitalizimet masive që po vazhdojnë. “Tani s’kemi më në Kadastër sistemi i ri apo sistemi i vjetër. Kemi një sistem multifunksional të integruar i cili është në shërbim të të gjithëve.  U përmirësua më në fund infrastruktura, si në qendër dhe në zyrat rajonale, duke mos patur më asnjë vonesë ndërkohë që ndërveprohet me sistemet e tjera”, vijoi me tej Karçanaj.

Kreu i AKSHI-t, njoftoi se aktualisht po zbatohet teknologjia “Blockchain” për të gjithë transaksionet e pronës, ku qytetarit do t’i shkojë njoftim për çdo ndryshim të bërë në pronën e tij, ashtu sikurse edhe organet ligjzbatuese do të jenë në dijeni.

Cilat do të jenë risitë për shërbimet e ASHK-së?

Drejtuesja e AKSHI-t, duke shfrytëzuar rastin, bëri me dije publikun se me në fund sistemet e legalizimeve do të digjitalizohen. “Deri më sot ka qenë vetëm aplikimi në e-Albania. Tani do të jetë i plotë i gjithë procesi i punës, pasi çdo hap do të jetë digjital, do të jetë transparent dhe përgjigjja do të jetë me vulë digjitale”, siguroi Karçanaj.

Një pikë e rëndësishme është edhe përmirësimi i shërbimeve elektronike të e-Albania, të cilat do të optimizohen me qëllim efikasitetin e përdorimit të tyre nga bizneset dhe qytetarët.

“Do të përmirësojmë dhe optimizojmë shërbimet elektronike. Në gjashtë muaj të ardhshëm do të integrojmë pagesën e menjëhershme që aplikimet e kryera, mos të qëndrojnë në pritje në sistem derisa të pasqyrohet pagesa që pastaj të procedohen”, theksoi Karçanaj.

Nga 11 marsi, drejtimin e ASHK-së e mori Dallëndyshe Bici, thuajse një dekadë pas drejtimit të procesit të transformimit në këtë fushë. Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të ndryshimit, theksoi se  është koha për një shtysë të re dhe për të hyrë në një fazë përmbyllëse me një ritëm tjetër të gjithë këtij procesi, i cili në fund duhet të garantojë stabilitet të plotë të pronës, stabilitet të plotë të marrëdhënies së pronës, stabilitet të plotë mes marrëdhënies së qytetarëve dhe shtetit në aspektin e pronës.