“Shqipëria do të kalojë plotësisht në një vend digjital brenda vitit 2030 dhe plani ynë është që të përdorim gjerësisht Inteligjencën Artificiale për të sjellë një ndryshim cilësor dhe thelbësor në jetën e qytetarëve tanë.”

Kështu u shpreh drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj, në një takim të organizuar në Bruksel, nga Instituti Tony Blair për Ndryshim Global (TBI), me temë “Tech Accelerator 2023”.

Në prezantimin e saj, Karçanaj theksoi se për Shqipërinë tani është faza e zhvillimit dhe integrimit të teknologjive të reja në platformën qeveritare, ndërsa tashmë cdo gjë është gati për e-Albania 2.0 dhe shërbime proaktive me Inteligjencë Artificiale.

Kreu i AKSHI-t theksoi se e-qeverisja në Shqipëri është mundësuar falë vizionit të qartë dhe mbështetjes të Kryeministrit Edi Rama, duke mundësuar një zhvillim ekonomik dhe shoqëror të vendit, pasi përllogaritet se qytetarët dhe bizneset tashmë kanë kursyer 12 milionë euro dhe 1010 vite pritje në radhë, falë procesit gjithëpërfshirës së digjitalizimit të shërbimeve publike, të nisur nga viti 2013.

Aktualisht, Shqipëria e ka drejtuar vëmendjen e saj drejt inovacionit, robotikës, programimit, kodimit, duke zgjeruar dhe orientuar politikat edukuese dhe arsimore të nevojshme për të rinjtë dhe fëmijët. Ndaj në planet afatshkurtra janë ngritjet e qendrave rinore dhe shpërndarja e mbi 210 smartlabeve në shkollat e vendit.

Për e-Albania dhe ndryshimin cilësor në fushën e inovacionit, vendi ynë tashmë ka marrë vlerësime nga partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë, si OECD, KE, DASH, të cilët nëpërmjet raporteve të tyre janë shprehur me nota pozitive për progresin, duke na renditur ndër të parët në rajon dhe krahas vendeve të zhvilluara europiane.

Aktualisht në portalin e-Albania janë 1231 shërbime elektronike ose 95 % e të gjitha shërbimeve publike shtetërore.