Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ishte pjesë e ekipit negociator shqiptar në Bruksel, në vijim të takimeve bilaterale që zhvillohen në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Drejtuesja e portalit qeveritar e-Albania, Nevila Repishti, prezantoi ecurinë e deritanishme të reformave dhe progresit në fushën e digjitalizimit, nga ofrimi i dokumenteve elektronike me vulë e nënshkrim elektronik; tek aplikimet që sot kryhen plotësisht online, veç rasteve ku është e nevojshme prania fizike, deri te ndërveprimi i sistemeve elektronike shtetërore në kohë reale duke i dhënë mundësinë qytetarëve dhe bizneseve që të shërbehen në mënyrë dinjitoze nga institucionet publike vendase.

“Nga viti 2013 kur regjistroheshin vetëm 50 mijë aplikime në portalin e-Albania, gjatë 2022 kemi mbi 13.5 milionë aplikime, shifër që tregon qartazi besueshmërinë e qytetarëve dhe bizneseve në komunikimin elektronik me institucionet publike. Sot kemi 2.7 milionë përdorues të regjistruar tek e-Albania dhe përgjatë këtyre viteve kemi reduktuar kostot, kemi thjeshtuar procedurat, kemi evituar kohën e humbur, por mbi të gjitha kemi mundur që të rrisim transparencën dhe cilësinë e shërbimit ndaj publikut”, theksoi Repishti.

Në Shqipëri- vijoi Repishti, – qytetarët dhe bizneset marrin 55 lloje dokumentesh me vulë elektronike dhe brenda 5 vitesh janë gjeneruar 23.7 milionë dokumente të pajisura me QR code, duke siguruar  autetincitetin dhe integritetin e tyre.Edhe nënshkrimi elektronik ka bërë të mundur rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe rritjen e performancës së administratës publike shqiptare, kusht që na përafron edhe më shumë me standardet europiane.

Drejtuesja e e-Albania bëri me dije se falë digjitalizimit, shqiptarët brenda dhe jashtë vendit kanë mundur të kursejnë 9 milionë euro nga xhepat e tyre dhe 990 vite pritje nëpër radhë që do t’u duhej në total, ndërsa sot ky shërbim ofrohet menjëherë ose brenda pak ditësh pune.

Për Plaftormën Qeveritare të Ndërveprimit, në tre vitet e fundit ka patur një rritje të numrit të transaksioneve dhe mesatarisht llogariten 17 milionë tilla në muaj, ndërkohë që investimet më të rëndësishme aktualisht po kryhen në forcimin dhe monitorimin e vazhdueshëm e sigurisë kibernetike.

“Përgjatë 4 viteve të ardhshme ne kemi synime të qarta në përmirësimin e shërbimeve publike dhe lehtësimin e përdorimit të tyre nga qytetarët dhe bizneset. Synojmë riorganizimin e portalit e-Albania dhe proaktivizimin e e-shërbimeve, ndërsa në fokus do të kemi rritjen e aksesit të qytetarëve me nevoja të veçanta duke u krijuar kushtet dhe lehtësitë e duhura teknike”, tha ndër të tjera Repishti.