Mediat e huaja jehonë aplikacionit online për “Leje-Dalje” nga shtëpia

Sistemi i leje daljeve, “Corriere della Sera” jehonë zgjidhjes teknike.
Shpjegohet mënyra e aplikimit për të lëvizur në këmbë dhe me makinë.

Zgjidhja teknike që realizoi Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit me specialistët më të mirë të fushës, duke mundësuar aplikacionin online për lejen e daljes së qytetarëve në ambientet publike, ka qenë në vëmendjen e mediave të vendit fqinj, Italisë.

Prestigjiozja “Corriere della Sera”, në versionin web të saj, shkruan për modelin shqiptar të autorizimit të daljes së qytetarëve në situatën pandemike prej COVID-19.
“Me anë të një sistemi online, qytetarët mund të kërkojnë lejen e daljes nga shtëpitë e tyre vetëm për një orë në ditë. Nga ky sistem përfiton një anëtar i një familjeje, ndërkohë që pensionistët nuk janë të përfshirë në skemë”, shkruhet në artikullin e publikuar nga “Corriere della Sera”.

Duke shpjeguar me detaje për mënyrën si qytetarët e përdorin shërbimin, media italiane thekson se të gjitha veprimet kryhen përmes e-Albanias, platformës online qeveritare në Shqipëri.
“Leje për dalje është masa e marrë nga qeveria e drejtuar nga Edi Rama, për të ndalur përhapjen e coronavirusit, në një vend të vogël si Shqipëria, me 2.84 milionë banorë. Procedurat janë dy, nëse qytetari lëviz në këmbë ose me makinë dhe bazohen në dy platforma digjitale të ndryshme”, shkruan “Corriere”.

Më tej, në artikull sqarohet hollësisht se qytetarët që duan leje dalje për të lëvizur në këmbë, duhet të regjistrohen tek e-Albania, i cili gjendet edhe si aplikacionin në smartphone. Pas regjistrimit, përdorin shjërbimin “Leje për dalje”, duke caktuar ditën dhe orën kur duan të dalin, gjithnjë në fashën mes orës 05:00-13:00.
“Pas plotësimit të pikave të kërkuara autorizimi vjen automatikisht në adresën e e-mailit, e cila është përdorur për regjistrim në portal i paraqitet policisë, në rast ndalimi, gjatë qarkullimit në rrugë.

Për mënyrën e qarkullimit me makinë, aplikuesit duhet të kërkojnë autorizim online nga Policia e Shtetit, me oraret e kufizuara dhe motivin e lëvizjes me mjet, në kushtet e gjendjes së emergjencës.

Kjo është hera e dytë që mediat e huaja përmendin Shqipërinë si shembull pozitiv, në një hark kohor të një jave. Vetëm pak ditë më pare, një ekip me 10 mjekë dhe 20 infermierë nga vendi ynë u nisën drejt Lombardisë për të dhënë kontributin e tyre në shpëtimin e jetës së mijëra të prekurve nga koronavirusi.