Drejtoresha e Përgjithshme e AKSHI-t: Shifër rekord, 1.3 milion përdorues në e-Albania

Platforma e-Albania sot numëron 1.3 milionë përdorues të regjistruar, nga të cilët 300 mijë janë përdorues të rinj të shtuar gjatë periudhës së pandemisë. Deri më datë 22 prill në portalin e-Albania regjistrohen 2.2 milionë aplikime për leje-dalje, ndërkohë që fluksi i përdoruesve mbetet i lartë për shkak të larmishmërisë së lejeve që ofrohen ditë pas dite.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, gjatë një interviste televizive, dhënë këtë të mërkurë, bëri me dije, se në vetëm 1 ditë regjistrohen mesatarisht 100 mijë aplikime për “Leje për Këmbësorë”, 18 mijë aplikime për “Leje për Punë” për fashat orare zyrtare; 22 mijë aplikime për qytetarët, që punojnë me turne; 6 mijë aplikime për lejet për arsye shëndetësore dhe 5100 aplikime për t’u pajisur me vërtetim online për aktivitetet ekonomik të hapur.

“Shumë shpejt do të kemi një shërbim të ri, që do të jetë i dedikuar për lejet e biznesit për t’i mundësuar subjekteve private më shumë fleksibilitet në lëvizjen e tyre të përditshme”, tha drejtoresha e përgjithshme e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Lidhur me autorizimet e lëshuara deri tani nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, znj. Karçanaj ritheksoi se këto leje janë të vlefshme deri më datë 24 prill, ndërsa nga data 26 prill qytetarët, që punojnë në sektorin privat apo nëpunësit e administratës publike do të duhet të aplikojnë në shërbimin online “Leje për Dalje” në platformën e-Albania, përkatësisht në “Leje për Punë”, ku do të zgjedhin fashën orare zyrtare ose “Punë me turne”, nëse do t’i përzgjedhin vetë oraret specifike për të shkuar në punë. Sipas znj. Karçanaj një procedurë disa herë më e lehtë, pasi nuk kemi të bëjmë më me proces manual, por me një process të automatizuar që përgjigjen miratuese e kthen në moment.

Situata e Pandemisë- shprehet znj. Karçanaj, – besoj, i ka shërbyer të gjithëve për të kuptuar se investimet në teknologji kanë qenë të vlefshme dhe se e-Albania sot nuk është zgjedhje, por zgjidhje.

“Në planet tona, Shqipëria digjitale mbetet projekti numër një dhe pandemia do ndikojë në modernizimin e mëtejshëm të vendit. Nuk ka më kthim pas sepse teknologjia është garanci për një jetë më të mirë. Është e ardhmja”, u shpreh drejtuesja e AKSHI-t.