“Procedura e dhënies së lejeve dhe vërtetimeve, e lehtë”

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj bën me dije se vetëm këtë të martë (datë 21) janë regjistruar 120 mijë aplikime për leje-dalje për pazare dhe shërbime bazike të familjes.

“Numri i përdoruesve të platformës e-Albania është dyfishuar dhe vetëm për lejedaljet janë regjistruar deri më tani 2 milionë përdorime; 21 mijë aplikime për leje-dalje javore për punë brenda fashës orare 05.00-08.00 dhe 16.00-17.30 dhe 37 mijë aplikime ditore për “Punë me Turne”, tha drejtoresha Karçanaj.

Në një intervistë televizive, kreu i AKSHI-t sqaroi se shërbimi i leje-daljes për arsye shëndetësore ka patur 7300 përdorime, ndërsa shërbimi për vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur ka patur mbi 14 mijë përdorime.

“e-Albania është e lehtë në funksion dhe procedura e dhënies së lejeve është e tillë. Për të marrë dokumentacionin online gjatë kryerjes së aplikimit veprojnë në kohë reale baza e të dhënave të tatimeve, baza e të dhënave të gjendjes civile, baza të dhënave të pensioneve, të karantinës, të mjeteve dhe të gjitha këto në pak sekonda koordinojnë më njëra-tjetrën dhe aprovimi vjen menjëherë. Përjashtohen nga e drejta për të marrë vërtetimet apo lejet të gjithë ata përdorues, të cilat nuk i plotësojnë kushtet e mirëpërcaktuara më herët”, sqaron znj. Karçanaj.

E pyetur për tipoligjinë e ankesave në e-Albania, znj. Karçanaj thotë se kërkesat më të zakonshme nga qytetarët lidhen me harrimin e fjalëkalimit, pra asistencë për rivendosje pasuordi.

“Qytetarët ankohen se kanë harruar kredencialet, kanë harruar përgjigjet e pyetjes së sigurisë; Kanë ndërruar e-mail-in apo kanë ndërruar numrin e telefonit, që kanë përdorur për t’u regjistruar në platformë. Këto janë kërkesat më të zakonshme për ndihmë, që janë zgjidhur një nga një nga ekipi i suportit në e-Albania”, tha drejoreshë Karçanaj.

Të aplikosh për leje/ Si jepet aprovimi dhe refuzimi pas çdo kërkese dhe cilat janë ankesat kryesore