Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është duke punuar intensivisht me Bankën Botërore për zhvillimin e mëtejshëm të qeverisjes elektronike dhe digjitalizimit të administratës publike, me qëllim përmirësimin e aksesit të qytetarëve dhe bizneseve si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike elektronike.

Në këtë kuadër, përmes programit “Rritja e barazisë në përdorimin e shërbimeve publike me standard të lartë përmes teknologjive në qeverisje (GovTech)”, i cili do të fillojë prej vitit 2023, do të punohet për të përmirësuar platformën e-Albania dhe infrastrukturat mbështetëse të saj, duke sjellë funksionalite të reja për qytetarët dhe bizneset në përfitimin e shërbimeve publike si dhe do të investohet në rritjen e aftësive bazë dhe atyre të avancuara digjitale për popullatën.

Në funksion të përgatitjes më të mirë të projektit, ju ftojmë të merrni pjesë në konsultimet publike që do të organizohen me prani fizike në datë 24 nëntor 2022, në orën 10:00-12:00 në ambientet e AKSHI-t. Gjatë konsultimeve, do të prezantohen masat shtesë që do të ndërmerren nëpërmjet këtij projekti, për të përmirësuar aksesin në e-shërbimet publike dhe për të zvogëluar përjashtimet e mundshme për shkak të vështirësive si pasojë e mungesës së aftësive digjitale. Qëllimi i konsultimeve publike është për të mbledhur këndvështrime dhe ide nga shoqëria civile me synim rritjen e përfshirjes së përfituesve fundorë (qytetarët dhe bizneset).

Ne vijim gjendet për konsultim dokumenti i “Vlerësimit të ndikimit social dhe në mjedis” për projektin në fjalë.

Në rast të pamundësisë së pjesëmarrjes në konsultim, sugjerimet dhe rekomandimet tuaja mund të dërgohen në mënyrë elektronike në adresën info@akshi.gov.al deri më datë 10 dhjetor 2022.