Digital Europe Programme hap zyrtarisht siparin e aplikimeve për Shqipërinë, përmes të cilave sektori publik dhe privat do të jetë pjesë e projekteve konkurruese, për një numër të madh thirrjesh në fushën e digjitalizimit të shoqërisë dhe ekonomisë.

Gara është shpallur për 4 fusha aplikimi që kanë në fokus sjelljen e teknologjisë digjitale tek bizneset, qytetarët dhe administratat publike, si Inteligjenca Artificiale, aftësi të avancuara digjitale, përpunim kompjuterik me performancë të lartë, si dhe sigurim i përdorimit të gjerë të teknologjive digjitale në ekonomi dhe shoqëri.

Për të vendosur një urë më të thjeshtë komunikimi me të gjithë palët e interesuara që dëshirojnë të jenë pjesë e procesit, ditën e premte, datë 26 prill, në orën 11:00, në TechSpace do të organizohet një sesion informues nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Të dy këto institucione mbajnë peshën historike të bashkëdrejtuesve të procesit të integrimit në fushën e digjitalizimit, në udhën e e nisur për zbatimin e standardeve të përcaktuara të familjes europiane, ku Shqipëria kërkon të jetë sa më parë anëtare më të drejta të plota.

Programi i Europës Digjitale akordon një buxhet të planifikuar prej 7.5 miliardë eurosh, ku përfitues janë qytetarët dhe bizneset, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Pas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel në muajin korrik, u vendos që Shqipëria, së bashku me tre vende të tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen Programit, që çel mundësi të arta për qytetarë, institucione publike apo organizata të ndryshme të aplikojnë për të përfituar nga skema financuese.

Programi ka hyrë në fazën e publikimit të thirrjeve specifike në një listë prej 23 projektesh ku të gjithë të interesuarit mund të gjejnë detajet, afatet, rezultatet e pritshme, objektivat dhe kriteret e tjera të procedurave.

Broshura