Fermerët në mbarë Shqipërinë aplikuan me sukses, në portalin qeveritar e-Albania, për të përfituar nga Skema Kombëtare Mbështetëse për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, që synon të stimulojë bujqërit e blegtorët të rrisin prodhimin e tyre.

Drejtoria e Portalit e-Albania sqaron se janë 71.537 fermerë në total, të cilët aplikuan online në portalin e-Albania për karburant falas dhe për 7 masa të tjera, për një periudhë kohore nga 27 marsi deri më 19 prill. Nga të dhënat e fundit, rezulton se 54 255 fermerë aplikuan për të përfituar nga Skema e Karburantit, ndërsa 17 282 të tjerë aplikuan për Skemën Mbështetëse. Ende nuk është shpallur numri final i fermerëve përfitues të skemës, pasi brenda 30 ditëve nga mbyllja e aplikimeve, është detyra e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural të shqyrtojë dhe t’u dërgojë elektronikisht përgjigjen fermerëve, nëse do të përfshihen apo jo në Skemën Rimbursuese.

Ajo që dihet më siguri deri tani është se aplikimet elektronike i kanë lehtësuar bujqërit e blegtorët, të cilët komunikojnë direkt me zyrat e shtetit, pa patur më nevojë që të qëndrojnë nëpër radhë apo të humbasin kohë të tepërt, sidomos në këtë periudhë të vitit, ku punëve të fshatit duhet t’u qëndrosh në kokë, për të patur prodhime të bollshme.

Fermerët aplikuan në dy shërbime të dedikuara në portalin e-Albania: “Aplikim për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Fermerët” dhe “Aplikim për skemën e karburantit për bujqësinë”, të cilat çelen çdo vit përkohësisht duke vendosur një standard të ri komunikimi fermer-shtet. Këtë viti pati disa risi, pasi për herë të herë të parë u mundësua aplikimi si Grupim Fermerësh për të njëjtën masë përfituese, me kusht që ky grupim të mos ishte më i vogël se 7 anëtarë. Gjithashtu, politikat e ndërmarra vendosën eliminimin e tavanit të mëparshëm në blegtori duke ofruar një vlerësim financiar progresiv, ndërsa për herë të parë sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike u kategorizua si një zë i ri përfitues. Edhe për karburantin falas, këtë vit u planifikua që ‘kuponat e naftës’ t’ia lenë vendin një forme tjetër rimbursimi, pasi shuma e vendosur në dispozicion do të kalojë në llogaritë bankare të aplikuesve .

Fermerët aplikuan për masat e tufës së matrikulluar lopë, dhi ose dele, mbarështim bletarie, bimë medicinale, kultivim perimesh e frutash si rrush ose luleshtrydhe, përfshirë edhe ato në serra dhe në tunele plastike. Pjesë e masave përfituese janë fermat organike, në kuadër të implementimit dhe certifikimit global GAP, duke përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve, në perime, fruta, rrush, ullinj agrume dhe kultura të tjera bujqësore.

Portali e-Albania, i cili sot ofron 1237 shërbime elektronike për pothuajse të gjitha shërbimet publike të shtetit shqiptar, u erdhi në ndihmë për të tretin vit radhazi fermerëve të kryenin aplikime falas dhe të shpejta, për të kërkuar në mënyrë transparente dhe pa vonesa mbështetjen financiare të qeverisë për një sektor të rëndësishëm të ekonomisë së vendit, siç është Bujqësia dhe Zhvillimi Rural.