Rama: Grup pune për shtimin e shërbimeve online; Karçanaj: Bankat të njohin dokumentet elektronike!

“Tashmë është koha që bankat e nivelit të dytë t’i bashkohen revolucionit digjital, për të lehtësuar klientët dhe sipërmarrjen nga pengesat e vonesat e shërbimeve të epokës së vjetër. Radhët në dyert e bankave që me mëngjes, nuk janë ngjarje të denja. Shqipëria nuk mund të jetë më në këtë situatë dhe numri i shërbimeve bankare online duhet të jetë i lartë.”

Kwshtu u shpreh në një takim me përfaqësues të bankave tregtare, kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se së bashku me fundin e sporteleve fizike të institucioneve publike, i duhet dhënë fund edhe radhëve dhe sporteleve fizike në bankat e nivelit të dytë.
“Nuk ka pse një qytetar që ka një kartë krediti, qoftë debiti, qoftë online banking dhe të ikë të nisët për te dera e bankës për të paguar për një shërbim publik, po njësoj siç bën me e-Albania mund të kryejë dhe pagesën mu aty në e-Albania dhe kjo mund t’i konfirmohet në kohë reale, është plotësisht e realizueshme teknikisht dhe ky është një transformim që nuk është më koha ta diskutojmë, është koha ta bëjmë. Është shokuese për mua që panorama e sotme e nivelit të teknologjisë së bankave, është kjo që është. Është shokuese. Ne e kemi kursyer me llogari, me laps në dorë, qytetarëve, nga këto transformime 7.1 milionë euro lekë, 50 lekë këtu, 100 lek atje, nxirr nga xhepi, për të marrë një copë letër, për të marrë një certifikatë, për të marrë një autorizim e për të marrë një vërtetim.Është koha që dhe ju të shikoni shkurtimin e shumë dokumenteve, procedurave e historive që kanë të bëjnë me shërbimet e thjeshta. Kohën e torturës për të dhënë kredi pastaj është diskrecioni juaj, nuk e kemi ne këtë pjesë,” u shpreh kryeministri Rama.
Duke njoftuar ngritjen e një grupi mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, i cili do të drejtojë punën në këtë aspekt, kryeministri garantoi se AKSHI është në dispozicion të plotë për të dhënë konsulencë lidhur me realizimin e qëllimit.
“Ne na duhet të vazhdojmë me shpejtësi transformimin sistemik dhe ta shfrytëzojmë maksimalisht teknologjinë sepse teknologjia është bekimi i vendeve si vendi ynë, të cilat në kushte të tjera, do ishte dashur nuk e di se sa dekada, për të bërë atë që në këto kushte mund ta bëjmë për 2, 3, 4 vjet falë teknologjisë,” theksoi Rama.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj u shpreh se ka ardhur momenti që bankat tregtare të njohin dokumentet elektronike, falë edhe ligjit të posaçëm që është në fuqi.

“Kemi marrë kërkesa të vazhdueshme të qytetarëve dhe bizneseve, që thonë se siç gjejnë lehtësi në portalin e-Albania duhet të gjejnë edhe pranë sektorit bankar. Ky është momenti! Realiteti në të cilin ndodhet e-Albania duhet të ndihmojë edhe shërbimet tuaja. Duhet të përmirësohen sistemet, të përshtaten në mënyrë që të lidhen me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit”, u shpreh Karçanaj.

Kreu i AKSHI-t, theksoi se aktualisht nevoja kryesore është që qytetarët dhe bizneset të orientohen e përshtaten siç duhet, ndërkohë ofroi gjithë mbështetjen teknike për bashkëpunim me qëllim realizimin me sukses të kësaj nisme.
Edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se shërbimet do të jenë më të shpejta me platformën e-Abania, ndaj është e rëndësishme që të ketë koordinim, që sistemi bankar të arrijë në nivelin e atyre në shtetet më të zhvilluara.
“Po diskutojmë për të harmonizuar përpjekjet e sistemit bankar me platformën e-Albania në mënyrë që shërbimet të jenë sa më funksionale, të mos ketë mungesë koordinimi, pra të jetë sa më perfekt që shërbimet të jenë sa më të shpejta”, theksoi guvernatori.