Shqipëria zuri vendin e parë në konkurrimin e Global CyberDrill, që vlerësohet si ngjarja më e madhe vjetore e që bën bashkë përfaqësues të komunitetit të ekspertëve nga e gjithë bota në një lajtmotiv të vetëm: Menaxhimin e shpejtë dhe adresimin efikas ndaj kërcënimeve kibernetike.

Ekipi kuqezi u përfaqësua nga Franc Zylyftari, pjesë e Drejtorisë së Sigurisë e-Gov, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Adriano Lleshi dhe Ilir Daka, nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike. Gara u zhvillua mes 113 shteteve pjesëmarrëse , ku u simuluan skenarë realë të sulmeve kibernetike për të testuar ekipet kombëtare duke vlerësuar performancën e tyre në bazë të shpejtësisë dhe reagimit ndaj kërcënimeve kibernetike.

Theks i veçantë iu vendos rolit të rëndësishëm që kanë qendrat kombëtare të sigurisë dhe ekipet e reagimit ndaj emergjencave kompjuterike, si dhe rritjes së qëndrueshmërisë kibernetike dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike të informacionit.

Bashkë me përmirësimin e performancës së sistemeve elektronike, shërbimeve publike elektronike dhe zhvillimin rrënjësor të shtetit digjital, Shqipëria ka drejtuar ndjeshëm vitet e fundit vëmendjen ndaj forcimit të masave dhe rritjes së nivelit të gatishmërisë ndaj kërcënimit të vazhdueshëm kibernetik. Aktualisht, strukturat mbrojtëse vlerësohen të një standardi të lartë për t’i përballuar në kohë rreziqet eminente, ndërsa pozicionimi në vend të parë Global CyberDrill është një tregues i qartë për kapacitetet e profesionistëve që aderojnë pranë institucioneve më të rëndësishmë për Teknologjinë dhe Mbrojtjen Kibernetike në Shqipëri.

Global CyberDrill është një event unik që bashkon Autoritetet dhe Agjencitë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike nga e gjithë bota dhe shërben për të vlerësuar performancën e secilit ekip kombëtar në nivel global, si dhe për të nxitur ndërveprimin dhe partneritetit e njëzëshëm në menaxhimin e kërcënimeve kibernetike.

Eventi i organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) dhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe, u zhvillua në data 23-25 prill në Dubai, hyri në librin Guiness, për shkak të numrit të lartë të vendeve pjesëmarrëse.