Teknologjia e Informacionit është një nga drejtimet më të preferuara, që të rinjtë shqiptarë po kërkojnë të ndjekin, për shkak të kërkesës së lartë në tregun e punës dhe nevojës gjithnjë në rritje për profesionistë të zotë dhe të kualifikuar. Qeveria shqiptare ka vendosur fokusin kryesor në zhvillimin e mëtejshëm digjital të vendit, duke patur objektiv ndërtimin e një shteti plotësisht elektronik brenda vitit 2030, nëpërmjet integrimit të teknologjive moderne dhe shfrytëzimit efektiv të kapaciteteve në burime njerëzore.

Për forcimin e vazhdueshëm të urave të komunikimit me institucioneve të arsimit të lartë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka ndërmarrë një tur takimesh me studentë të ciklit bachelor dhe master, për t’i informuar, jo vetëm me progresin e deritanishëm digjital, në një sfond të përgjithshëm, por edhe për qasjet e së ardhmes, sfidat dhe rëndësinë e krijimit të një kontigjenti të ri ekspertësh, për realizimin me sukses të objektivave që shteti shqiptar aspiron të arrijë.

Takimi i radhës i drejtuesve të AKSHI-t, Enio Kaso, Franc Zylyftari dhe Aldo Kita ishte me studentë të ciklit master, Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës të cilët shfaqën interes të veçantë, sidomos për projekte që po realizohen falë ndihmës që jep Inteligjenca Artificiale. Produktet e para tashmë janë konkrete; prej dhjetorit të vitit të kaluar, portali e-Albania ka edhe asistentin virtual 1.0 duke ndihmuar në kohë reale përdoruesit. Përllogariten mbi 500 mijë përgjigje informuese dhe sqaruese prej ditës së parë të ‘jetës’, të ofruara me shkrim, përmes një chat-i të dedikuar. Fantastik do të jetë versioni 2.0 i tij, që sërish duke shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale, do të komunikojë me zë dhe figurë, drejtpërdrejt me përdoruesin që kërkon ndihmë, duke I dhënë në kohë reale orientim dhe udhëzim deri në marrjen e plotë të një shërbimi elektronik të institucioneve publike. Deri më tani janë 1240 shërbime elektronike, por ditë pas dite ky numër pëson rritje dhe nevoja për komunikim me asistentin ndihmues virtual do të jetë edhe më shumë e pranishme. E jo vetëm kaq, pasi me AI, pritet të ofrohen edhe një spektër më i gjerë lehtësish dhe zgjidhjesh në shëndetësi, arsim, financë, siguri dhe prokurime publike, duke mundësuar një realitet të ri në formësimin dhe forcimin e shtetit digjital, Shqipëria 2030.

Smart Albania, gjithashtu një nga projektet më fantastike që AKSHI do të realizojë, por që është ende në fazën e parë të punës. Fakti që ky projekt e ka të nevojshëm kontributin e ekspertëve të rinj dhe të kualifikuar zgjoi interes të veçantë mes studentëve, duke qenë se edhe kërkesat për kandidatët që do të jenë pjesë e zbatimit, fokusohen tek specialistë të profilizuar në shkenca kompjuterike, informatike, inxhinierike dhe jo vetëm.

Të rinjtë u informuan me teknologjitë moderne që përdoret për të përballuar sulme kibernetike, mënyrën se si AKSHI arriti të neutralizonte sulmin e sponsorizuar shtetëror iranian të meskorrikut të vitit 2022 me mbështetjen e jashtëzakonshme të ofruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ambasada amerikane në Tiranë, si dhe kontributin e vyer të ekipit të elitës globale të kibernetikës Microsoft DART. Pjesë e prezantimin edhe pak nga panorama e punës së përditshme të Qendrës Qeveritare Operacionale të Sigurisë, ngritur pranë AKSHI-t prej tashmë një viti, strukturë e cila mbron infrastrukturat dhe sistemet qeveritare nga çdo sulm kibernetik.

Ndalesa e sotme erdhi pak ditë pas një takimi që drejtues të AKSHI-t zhvilluan me student të Fakultetit Ekonomik i Universitetit të Tiranës, me të cilin Agjencia e ka një marrëveshje të nënshkruar bashkëpunimi, që i hap dyert të rinjve për t’u bërë pjesë e projekteve të rëndësishme teknologjike.