Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit jep kontributin e saj, kur vjen fjala për përdorimin e zgjidhjeve ekologjike për të kursyer energjinë elektrike. Prej kohësh është punuar shumë në këtë drejtim dhe tashmë AKSHI ka zbatuar me sukses, projektmodelin e përdorimit të zgjidhjeve moderne, në rritjen e eficiencës së energjisë në Qendrën e të Dhënave Qeveritare.

Projekti, i financuar nga Fondi Evropian për Zhvillim Rajonal dhe i zbatuar nga AKSHI, është prezantuar gjatë një konference të zhvilluar sot në Greqi, në kuadër të programit të bashkëpunimit “Interreg Mediterranean”, me përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Përfaqësues i AKSHI-t në takim ishte drejtori i BCC Backup dhe DRC, Aldo Kita, i cili prezantoi për pjesëmarrësit të gjithë punën, sfidat dhe ‘udhëtimin’ për realizimin e projektit, që synon reduktimin e sasisë së energjisë elektrike që përdoret për mbajtjen në punë të sistemeve të informacionit, që ndër të tjera, shërbejnë për ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset.

“Mundësuam modernizimin e sistemit të ndriçimit të ambienteve të godinës së AKSHI-t, duke përdorur sensorët e dedektimit të lëvizjes dhe duke e transformuar të gjithin në teknologjinë LED. Ky sistem ofron protokolle komunikimi për sisteme komandimi të cilët komunikojnë me software të dedikuar për monitorim dhe menaxhim të sistemit të ndriçimit. Gjithashtu, në mjediset e  DataCenter-it janë instaluar sensorë të veçantë në panelet elektrike të cilët masin efektivitetin e energjisë që konsumohet, temperaturën dhe parametra të tjerë në kohë reale. Pajisjet e instaluara janë integruar me sisteme inteligjente kontrolli, monitorimi dhe analizimi të cilët mbështetur në vlerësimin e parametrave të dedektuar, të cilat pasqyrojnë dhe sugjerojnë masat e nevojshme për të mundësuar kursimin dhe përdorimin sa më eficient të energjisë”, u shpreh Kita.

Procesi do të ishte shumë sfidues pa ndihmën e BE-së në këtë drejtim, por gjithashtu Kita vlerësoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për përqafimin e çdo nisme që sjell ndryshime pozitive dhe njëkohësisht bashkon mundësitë e pakufishme të inovacionit digjital me një angazhim të thelluar për ruajtjen dhe mbrojtjen e natyrës dhe burimeve të saj.

“Marrëdhënia ndërmjet teknologjisë dhe qëndrueshmërisë nuk është thjesht një trend, por një domosdoshmëri për të ardhmen të cilën AKSHI e ka adresuar më së miri duke implementuar këtë projekt modern dhe ambicioz. Qendrat tradicionale të të dhënave dhe sistemet kompjuterike janë të njohura për kërkesën dhe konsumin e jashtëzakonshëm të energjisë, dhe zgjidhjet ‘’green’’, sikurse është ajo që është implementuar nga AKSHI i japin përparësi efikasitetit të energjisë përmes përdorimit të teknologjive të rrjetit ‘’inteligjent’’ dhe pajisjeve me efikasitet të energjisë. Përqafimi i zgjidhjeve digjitale “të gjelbërta” është një lëvizje strategjike e AKSHI-t, por njëkohësisht është edhe një përgjegjësi kolektive, të cilën AKSHI synon ta promovojë përmes këtij projekti duke e implementuar atë në nyjen më kryesore veprimtarisë së saj, në qendrën e të dhënave qeveritare”, theksoi Kita.

Nga zgjidhja e implementuar në Qendrën Qeveritare të të Dhënave, e cila është teknologji e fjalës së fundit, pritet që përfitimi të jetë si në aspektin e mbrojtjes së burimeve dhe mjedisit por njëkohësisht dhe në aspektin e ’rikthimit të investimit’ (ROI) në nivel të lartë.