Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, që i hap dyert studentëve të jenë pjesë e praktikave të punës, mentorimeve, trajnimeve, përfshirjes në projekte të rëndësishme, që lidhen me Inteligjencën Artificiale dhe jo vetëm, si dhe forcimit të bashkëpunimit të ndërsjelltë mes dy institucioneve.

Në eventin e organizuar me këtë rast, ku ishin të pranishëm, kreu i AKSHI-t, Linda Karçanaj, dekani i FEUT-së, prof.dr. Dhori Kule, pedagogë dhe studentë, u theksua rëndësia e nënshkrimit të marrëveshjes për integrimin e të rinjve në projekte inovative, si një moment i veçantë për t’i dhënë Shqipërisë ato zgjidhje teknologjike që ende i mungojnë.

Por, si do të përfshihen studentët dhe cilat do të jenë mundësitë që do t’u krijohen.

Drejtuesja e AKSHI-t, Karçanaj, u shpreh se studentëve, të cilët do të përfshihen në praktikat e punës, do t’u njihet eksperienca e tyre, me një referencë të posaçme, ndërkohë që nuk do të mungojë ndihma për çdo thirrje apo projekte me subvencione për të çuar përpara një nismë apo startup, që ka si synim zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.

“ Çdo fillimviti, ne do hapim derën për 5 studentë ekselentë të cilët do të marrin pjesë në projekte me ekspertët tanë më të mirë dhe më ata të Open AI, Microsoft, duke ecur me plaftormën e Inteligjencës Artificiale”, u shpreh Karçanaj, duke theksuar se kryefjala e marrëveshjes së re bashkëpunimit me Microsoft, që lidhet në mars të vitit tjetër, është Inteligjenca Artificiale, ndaj studentët do përfshihen në punë konkrete që do të kryhen, pse jo duke i dhënë mundësi më të mirëve që të jenë pjesë e AKSHI-t.

Karçanaj përmendi idenë për themelimin dhe trajnimin e një Open Souce të Language Learning Machine në gjuhën shqipe duke përdorur Inteligjencën Artificiale, ndërkohë që në TechSpace, po ngrihet një infrastrukturë të posaçme, e dedikuar për implementime në fushën e AI. Karçanaj përmendi ekskluzivitetin që do t’u jepet të rinjve të përfshihen në projektin TOM, një lëvizje  globale të komuniteteve e cila synon që të lehtësojë jetën e njerëzve me aftësi të kufizuara, të moshuarve apo njerëzve në pamundësi financiare.

Nga ana e tij, dekani i FEUT-së theksoi shprehu besimin e plotë në suksesin e marrëveshjes dhe bashkëpinimit mes institucioneve në të ardhmen, duke shpresuar në interesin e studentëve tek mundësitë që po u krijohen.

“Inteligjenca Artificiale ka buruar nga inteligjenca natyrale dhe kërkon një inteligjencë natyrale që ta menaxhojë në mënyrë të suksesshme atë artificiale. Jam i bindur që me këtë logjikë do të hapen gjithnjë e më tepër vende të reja pune”, u shpreh prof. dr. Kule.