Ngjarja e meskorrikut të vitit 2022, ku një sulm i organizuar iranian tentoi të dëmtonte sistemet dhe infrastrukturën qeveritare dhe përvoja e Shqipërisë në përballimin dhe menaxhimin në kohën e duhur të kërcënimit masiv kibernetik, u risollën edhe njëherë në vëmendje, gjatë një sesioni informues, organizuar nga Qendra Kërkimore Evropiane për Konflikte Kibernetike, mes ekspertësh ndërkombëtarë dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Enis Ylli, drejtor i ekipit të Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike per Sistemet, ndërsa përmendi misionin e rëndësishëm që AKSHI ka në ruajtjen e hapësirës kibernetike, vlerësoi se menaxhimi i krizës së vitit 2022, u përballua me sukses, në përputhje të plotë më praktikat dhe standardet e sigurisë.

“AKSHI, asokohe, ishte infrastruktura kritike e vetme që ndau raportin e detajuar për sulmin, me detaje teknike, indikatorët dhe gjithashtu ndihmoi teknikisht institucionet e tjera për të skanuar rrjetet e tyre gjatë kërcënimit eminent iranian. Ekipi ynë ishte në gjendje të zbulonte sulmin kibernetik në kohë reale, çka çoi në ndalimin e sulmit, por pa mbështetjen e aleatëve strategjikë do të ishtë një mision shumë i vështirë”, theksoi Ylli.

Në fakt, pas normalizimit të plotë të situatës, publikisht për mediat vendase dhe më gjerë, u bë e njohur mbështetja e jashtëzakonshme e ofruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ambasada amerikane në Tiranë, si dhe kontributi i vyer i ekipit të elitës globale të kibernetikës Microsoft DART, për të cilat, Ylli vlerësoi se, vetëm përmes bashkëpunimit dhe ndihmës u arrit hetimi në kohë rekord dhe rikuperimi duke zbatuar praktikat më të mira të sigurisë.

“Përballja me ngjarje të tilla dhe rreziqe kibernetike nga shtete me veprimtari të sofistikuar që realizojnë sulme shkatërruese dhe përdorin burime të pakufizuara, kërkon partnerë ekselentë për mbështetje vendimtare”, u shpreh përfaqësuesi i AKSHI-t.

Komenti i drejtuesit të Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike per Sistemet pranë AKSHI-t, tërhoqi interesin e pjesëmarrësve, në një kohë kur Shqipëria konsiderohet një rast suksesi nga Komisioni Europian, për avancimin dhe progresin e arritur gjatë viteve të fundit në fushën e digjitalizimit dhe përqafimit të teknologjisë thuajse nga të gjithë sektorët e vendit. Qeveria shqiptare e ka kthyer vëmendjen tek teknologjia duke digjitalizuar pothuajse të gjithë armatën e institucioneve publike me sisteme dhe shërbime elektronike.

E ndërsa riktheksoi rolin kyç që ka AKSHI, në administrimin e infrastrukturës së qeverisjes elektronike dhe ofrimin e shërbimeve elektronike për qytetarët, bizneset dhe administratën publike, nëpërmjet portalit elektronik e-Albania, Ylli risolli në vëmendje rëndësinë dhe peshën që institucioni ka në ruajtjen dhe administrimin e sistemeve dhe aplikacioneve, infrastrukturën qendrore dhe të TIK-ut për institucionet e administratës shtetërore dhe organet nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.

Sesioni i sotëm u zhvillua në prag të nisjes së programit njëvjeçar “Bursa Evropiane të Sigurisë Kibernetike 2024-2025”, që synon të tërheqë profesionistë të rinj të talentuar, të cilët kërkojnë të zhvillojnë karierën e tyre në politikat e sigurisë kibernetike. Për këtë motiv, ekspertë të vendeve të ndryshme ndajnë përvojat dhe eksperiencën e tyre dhe të institucioneve apo organizatave që përfaqësojnë për raste të sulmeve kibernetike dhe reagimit të ndërmarrë për t’i neutralizuar ato