Kërcënimi nga krimi kibernetik është shndërruar në rrezik kompleks dhe të sofistikuar për t’u përballuar dhe menaxhuar në nivel global. Për këtë arsye, në New York u zhvillua Konferenca e Stabilitetit Kibernetik 2024, organizuar nga Kombet e Bashkuara, me pjesëmarrjen e drejtuesve dhe ekspertëve nga vende anëtare, mes të cilëve edhe drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj.

Duke folur për ngjarjen e vitit 2022 të sulmit kibernetik që kërcënoi mjedisin digjital të Shqipërisë, Karçanaj theksoi se ngjarja pati plotësisht motive politike, me qëllim fshirjen e plotë të të gjithë sistemeve qeveritare dhe të dhënave të tyre. “Nga sulmi u arrit të prekej nga procesi i fshirjes vetëm 10% e sistemeve, të cilat u rikthyen tërësisht falë zbatimit me rigorozitet të protokollit të mbrojtjes kibernetike. U përballëm me një situatë të jashtëzakonshme, ku autorët u përpoqën të manipulonin mendimin publik, të krijonin konfuzion dhe të vështirësonin besimin në institucionet qeveritare”, u shpreh Karçanaj. Ndërsa vlerësoi se pas sulmit, Shqipëria mori mbështjeje domethënëse nga  Microsoft dhe nga FBI-ja, strukturat mbrojtëse u rikonceptuan duke iu përgjigjur me standard të lartë rreziqeve të vazhdueshme që vijnë nga sulmet kibernetike.

Sulmi erdhi në një moment kur Shqipëria arriti një pikë të rëndësishme në digjitalizim, ku thuajse të gjithë shërbimet publike ofrohen online dhe sistemet elektronike bashkëveprojnë për t’u shërbyer në kohë reale qytetarëve dhe bizneseve. Pavarësisht se sulmet kibernetike, nuk shkaktojnë viktima direkte, siç ndodh në rastet e sulmeve të një natyre tjetër, të tilla ngjarje paralizojnë sistemet elektronike dhe emetojnë rrezik të vazhdueshëm, sepse bllokohen shërbime publike që kanë lidhje me shëndetin e qytetarëve apo fusha të tjera që lidhen me sigurinë e tyre.

“Ne vazhdojmë të jemi nën kërcënim të vazhdueshëm, por kemi rritur nivelin e mbrojtjes. Në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit kemi ngritur Qendrën Qeveritare Operacionale të Sigurisë, strukturë e cila mbron infrastrukturat dhe sistemet qeveritare nga çdo sulm kibernetik. Me të njëjtin ritëm veprojnë edhe institucionet e tjera të sigurisë kibernetike. Mendoj se është e rëndësishme që organizatat lokale dhe ndërkombëtare të punojnë së bashku për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe ekosistemin më të gjerë, ku bëjmë pjesë. Ne ia dolëm që autorët e sulmit mos të kishin akses apo të përvetësonin të dhëna sensitive. Ishim të parët që u sulmuam dhe pas nesh u sulmuan organizata të tjera, kompani të mëdha dhe këto ngjarje ndodhin edhe në vende të zhvilluara me sisteme të sofistikuara mbrojtëse. Ndaj është e rëndësishme që ne të punojmë së bashku për të përballuar rreziqet që na kërcënojnë vazhdimisht, sepse ata (autorët e sulmeve kibernetike) janë një hap përpara nesh”,  vijoi Karçanaj.

Investigimi, rikuperimi i sistemeve në mënyrën më të sigurtë dhe në kohë rekord, modernizimi dhe implementimi i inteligjencës artificiale në operacionet e përditshme, u vlerësuan nga panelistët e OKB-së si një histori suksesi ndërkombëtare.