Qeveria shqiptare po tregon vëmendje të veçantë për forcimin e strukturave të qëndrueshme për të siguruar që të dhënat dhe sistemet të jenë gjithmonë të mbrojtura dhe të disponueshme, pavarësisht sfidave të mundshme teknologjike apo katastrofave natyrore.

Gjatë një takimi me kreun e Shërbimit Ekonomik për Ballkanin Perëndimor z.Prierre Grandjouan, dhe përfaqësues të lartë të ambasadës franceze në Tiranë, drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj.Linda Karçanaj theksoi se Shqipëria është shembull i mirë, mes vendeve të rajonit dhe të Europës, që garanton sisteme dhe shërbime elektronike të sofistikuara, falë të cilave është rikthyer besimi i qytetarëve dhe bizneseve tek institucionet e shtetit.

“Sa më shumë ne zhvillohemi dhe integrojmë teknologjinë në jetën e qytetarëve dhe bizneseve, aq më thelbësor është forcimi i infrastrukturave tona”, u shpreh Karçanaj.

Duke prezantuar një panoramë të përgjithshme, znj.Karçanaj përmendi se Qendra e të Dhënave Qeveritare,e cila është e vendosur në mjediset e AKSHI-t, në përputhje me standardet moderne dhe shërben si një pikë kyçe në infrastrukturën e TIK të institucioneve publike. Kjo infrastrukturë lehtëson centralizimin dhe integrimin e të gjitha shërbimeve online të qeverisë të ofruara përmes një sërë sistemesh të digitalizuara.

Në takim u diskutuan statuset e projekteve të përbashkëta që Shqipëria ka me Francën në kuadër të G2G dhe u konformua bashkëpunimi dhe mbështetja për zhvillimet e reja në infrastrukturën logjistike, partneritet i cili do të ndikojë në projektet mes dy vendeve tona, në përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët.

Deri më sot, Qendra e të Dhënave Qeveritare përbën bazën për të mbështetur dhe siguruar ndërveprimin elektronik të sistemeve elektronike Ajo i ofron çdo ministrije apo agjencie shtetërore optimizim të kostove, duke përdorur një infrastrukturë më të mirë dhe duke shmangur shpenzimet e panevojshme. Në një sipërfaqe totale prej 672 m2 për infrastrukturën teknike, monitorimin dhe sigurinë e shërbimeve elektronike, qendra ‘strehon’ të gjitha sistemet elektronike të qeverisë, duke garantuar disponueshmëri për shërbimet 24 orë në ditë, në 7 ditë në javë.