“Vërtetimi i Detyrimeve Përmbarimore”, do të ofrohet online në e-Albania me kosto zero. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, mundësoi që ky shërbim të kalojë në e-Albania i njohur si “Aplikim për vërtetimin e detyrimeve përmbarimore” dhe tashmë qytetarët dhe bizneset nuk do të duhet të mbajnë radhë pranë zyrave përmbarimore. Atyre nuk do u kërkohen dokumente shoqëruese dhe as të bëjnë pagesë në bankë. I gjithë shërbimi kalon në sistemin e-Albania dhe përmes plotësimit të formularit me të dhënat individuale, vërtetimi do të merret me nënshkrim elektronik. Qytetarët dhe bizneset do ndjekin vetëm procedurën e thjeshtëzuar online të shërbimit.

 

Hapat e procedurës në e-Albania:

– Identifikohuni si qytetar/biznes në portal;

– Zgjidhni shërbimin “Aplikim për vërtetimin e detyrimeve përmbarimore”;

– Klikoni butonin “Përdor”;

– Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme duke përzgjedhur dhe Zyrën Përmbarimore, së cilës i drejtoni kërkesën;

– Klikoni butonin “Dërgo” në fund të faqes;

 

Aplikimi shkon drejt sistemit të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror, Zyra Vendore Përmbarimore përkatëse.

Vërtetimi i detyrimeve përmbarimore dërgohet në seksionin “Dokumentet e mia” te hapësira e aplikantit në portalin e-Albania si dhe njofton me email aplikuesin për t’u paraqitur dhe tërhequr vërtetimin pranë zyrës përmbarimore.

Realizimi i këtij shërbimi është pjesë e angazhimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit për të kaluar mbi 90 % shërbime publike online përmes portalit unik e-Albania.

Ky revolucion dixhital po mundëson që qytetarët të mos mbajnë më radhë, të mos humbasin kohë me mbledhje dokumentesh apo të bien pre e abuzimeve të administratës, por përmes aksesit në e-Albania të marrin të gjithë shërbimet publike në kohë rekord.

Ndërkaq, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit po trajnon mijëra punonjës për të përdorur sistemin e ri përmes të cilit dokumentet shoqëruese mblidhen nga vetë punonjësit e administratës, pa qenë nevoja që qytetarët të lodhen lart e poshtë nëpër zyra.