Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, së bashku me institucionet publike kryesore në vend është në fazat finale për hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit 2022-2024, të Partneritetit për Qeverisje të Hapur.

Në një takim të dytë me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave në ndihmë të Personave me Aftësi të Kufizuar, Romina Kostani, drejor i Inovacionit dhe Promovimit e-Gov pranë AKSHI-t, ftoi sërish të pranishmit për të dhënë kontributin e tyre lidhur me katër angazhimet e propozuara nga AKSHI, njëri prej të cilëve është shtimi e të dhënave të hapura dhe të disponueshme në portalin Open Data dhe tre të tjerët lidhen me përmirësimin dhe zhvillimet e reja në portalin e-Albania.

Duke u ndalur me gjerësisht në zhvillimet që pritet të realizohen së shpejti në portalin e-Albania, Kostani siguroi, se ndryshimet synojnë aksesimin në mënyrë universiale dhe të barabartë për të gjitha kategoritë, përshtatur me standardet ndërkombëtare të aksesueshmërisë, në mënyrë që të gjithë, e sidomos grupet PAK të kenë mundësi të lehtë aksesimi.

“Pjesë e angazhimit tonë është përgatitja dhe miratimi i bazës ligjore, në përputhje me direktivën e BE-së, mbi aksesueshmërinë e faqeve të institucioneve publike”, u shpreh Kostani, pohim që mori vlerësim nga të pranishmit, të cilët sugjeruan se direktivat e BE-së mund të standardizohen përmes një dokumenti ligjor të hapur dhe të ndryshueshëm, në varësi edhe të ndryshimeve që sjell teknologjia në një kohë të shkurtër.

Kostani theksoi se shumë shpejt do të mundësohet analizim automatik i opinioneve dhe sugjerimeve të qytetarëve për shërbimet elektronike, duke ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë procedural, në bashkëpunim me institucionet ofruese.

Një nga risitë më të mëdha, që do të ndryshojë njëherë e mirë, mënyrën e përdorimit të shërbimeve elektronike dhe do të lehtësojë aksesimin dhe orientimin e qytetarëve dhe bizneseve për to, do të jenë gjashtë lloje të ndryshme “Life Events”, të cilat do të ndihmojnë përdoruesit të gjejnë më lehtësisht shërbimet si dhe të marrin automatikisht shërbime të tjera që vijnë si pasojë e aplikimit për shërbime të caktuara.

Ngjarje jete, si lindja e një fëmije, kërkimi i një vendi pune, ndryshimi i vendbanimit, i kërkesës së personave që aplikojnë për pension, kërkesës për të çelur një biznes apo ngjarje që lidhen me paaftësinë për punë, do të organizohen dhe kategorizohen në mënyrë automatike sipas profilit të kërkesës që ka qytetari. Falë zgjidhjeve teknike, secili përdorues, nëse kërkon të shërbehet për një prej këtyre ngjarjeve, automatikisht do t’i shfaqen të gjitha shërbimet që lidhen njëri pas tjetrit, me qëllim  finalizimin me sukses procedurave. Për përdoruesin, kjo risi sjell lehtësi të jashtëzakonshme, për institucionet, mundëson efektivitetin e duhur falë zgjidhjeve teknologjike moderne.

Të pranishmit, shprehën vlerësimet lidhur me zhvillimet e fundit, si për e-Albania ashtu edhe mundësinë e shtimit të të dhënave në portalin Open Data, të cilave do t’u referohen për të dhëna studimore, analizuese dhe informuese.