Vetëm për periudhën janar 2022 deri në fund të shtatorit janë regjistruar rreth 200 milionë transaksione në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit që është infrastruktura më moderne e ndërtuar në Shqipëri, e cila mundëson komunikimin në kohë reale, pa ndërprerje dhe në formë të sigurt dhe të besueshme mes sistemeve elektronike të institucioneve publike.

55 sisteme digjitale ndërveprojnë duke lehtësuar procedurat e aplikimit të qytetarëve dhe bizneseve përmes plotësimit automatik të 2/3 të fushave te formularit të aplikimit e njëkohësisht, duke reduktuar numrin e dokumenteve që i kërkohen qytetarit apo biznesit për marrjen e shërbimeve publike.

Vetë portali qeveritar e-Albania, ngrihet mbi Platformën Qeveritare të Ndërveprimit duke kontribuar masivisht në lehtësimin e komunikimit mes qytetarëve dhe bizneseve dhe institucioneve publike.

Platforma Qeveritare e Ndërveprimit është një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare në këto 30 vite, e ndërtuar me teknologjinë Microsoft, sipas modelit “Enterprise Service Bus”.