Repishti: Progres në zbatimin e angazhimeve të Planit të Veprimit 2020-2022

 

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ishte pjesë e takimit të organizuar nga ReSPA dhe Njësia OGP për Europën, pjesë e dialogut të vazhdueshëm të administratave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për çështjet e Partneritetit të Qeverisë së Hapur (OGP), zhvilluar në Romë, në data 13-14 tetor.

Drejtoresha e portalit qeveritar e-Albania, Nevila Repishti, e cila përfaqësoi AKSHI-n, gjatë prezantimit të progresit të Shqipërisë lidhur me Planin e Veprimit, theksoi se puna ka vijuar pa ndërprerje në zbatimin e angazhimeve të ndërmarra. Sa i takon qeverisjes digjitale, Repishti informoi të pranishmit se reforma cilësore dhe rrënjësore në shërbimet publike ka bërë që sot, 95 për qind e tyre të ofrohen online, duke reduktuar kostot dhe duke rritur nivelin e komunikimit të institucioneve publike me qytetarët dhe bizneset.

Rol themelor e kyç, – përmendi Repishti, – është Platforma Qeveritare e Ndërveprimit, mbi të cilën ndërveprojnë sistemet elektronike, duke e bërë Shqipërinë rastin e parë në Ballkan që e zhvilloi dhe e zbatoi atë.

Duke folur Portalin e të Dhënave të Hapura Open Data (opendata.gov.al),përfaqësuesja e AKSHI-t theksoi se disa nga të dhënat merren automatikisht nga sistemet elektronike të institucioneve, ndërkohë që aktualisht ofrohen të dhëna të hapura nga 15 sektorë të ndryshëm, me synim rritjen e aksesit të publikut dhe rritjen e transparencës së institucioneve vendase.

Takimi ishte një mundësi për të diskutuar dhe ndarë përvojat në zbatimin e OGP-së në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësit panë më nga afër çështjet që lidhen me masat nga Planet Kombëtare të Veprimit të OGP-së, sfidat që janë përballur vendet respektive dhe progresi i arritur në në këtë fushë.