“U zhduk korrupsioni për 1225 shërbime publike”

 

Pas publikimit të raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për zhvillimin digjital të vendeve anëtare, ku Shqipëria renditet në vendin e tetë në Europë dhe në të 19-tin në botë lidhur me shërbimet publike online, Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar lajmin si tejet pozitiv.

“Lajm shumë i mirë për të vërtetën e madhe dhe të mohuar masivisht, se Shqipëria e sporteleve me hekura, e turmave nëpër radha për të marrë një copë letër, e bakshisheve për çdo shërbim në sportel i takon të shkuarës”, shkruan Kryeministri në një postim në rrjete sociale.

Edhe pse ka shumë punë për të bërë, – thekson Kryeministri – ‘për 1225 shërbime publike (95% e gjithë shërbimeve) vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin, duke u ngjitur në pozicione që deri para disa vitesh as mund të imagjinoheshin, nga fundi i pusit ku e nisëm rrugën e #RevolucionitDigjital.’

Duke përmendur rastin e sulmit kibernetik të mesit të korrikut, Rama kujtoi se Shqipëria është sulmuar pikërisht ngaqë është zhvilluar më tej në digjitalizimin e shërbimeve publike, por dështimi i sulmit ishte shpjegimi më i mirë se investimi ka qenë efikas dhe se vendi është renditur tashmë në listën e më të zhvilluarve për shërbimet publike online.

“Disa e kanë aq të pamundur të shijojnë një të mirë, të kënaqen me një arritje të vendit, të pranojnë një ndryshim domethënës, sa që edhe kur shohin një tabelë aq kuptimplotë, si ajo e klasifikimit të Raportit të OKB për Zhvillimin Digjital të Shërbimeve Publike. Eshtë në natyrën e njeriut ta harrojë shpejt të keqen, por sot, kur mesa duket disa nga ata që i marrin shërbimet online pa mbajtur radhë e pa nxjerrë asnjë lek nga xhepi, si deri dje që paguhej edhe për të hyrë pa radhë, e kanë kaq të pamundur ta vlerësojnë punën e jashtëzakonshme që është bërë në këtë drejtim, them se ia vlen t’ua rikujtojmë me disa pamje arkivash, se si ishin shërbimet për qytetarët e këtij vendi vetëm deri para disa vitesh,” përfundon Kryeministri reagimin në rrjetet sociale.