Takim i palës shqiptare me ekspertë teknikë të Komisionit Europian në Bruksel

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ishte e pranishme në takimin e përbashkët zhvilluar në Bruksel, me përfaqësues teknikë të Komisionit Europian, ku u prezantuan aktet ligjore dhe strategjitë e Bashkimit Europian në fushën e Shoqërisë së Informacionit dhe medias. Takimi u shoqërua nga një diskutim aktiv përmes pyetje-përgjigjeve, lidhur me çështje teknike mbi zbatimin e acquis së re.

Në fund të takimit, drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, përmes një postimi në rrjete sociale veçoi se: “Aktet e reja të kapitullit 10-të “Shoqëria e Informacionit dhe Media” u analizuan në takimin e përbashkët mes Komisionit Europian dhe zyrtarëve shqiptarë në Bruksel. Falë revolucionit digjital, Shqipëria do të plotësojë më shpejt kërkesat e këtij kapitulli për anëtarësim në BE, duke garantuar politika më gjithëpërfshirëse në ekonominë e re digjitale.”

AKSHI u vlerësua pozitivisht në Progres Raport për platformën gjithëpërfshirëse për shërbimet digjitale dhe realizimin e plotë të shërbimeve online në një kohë të shpejtë. Komisioni Europian njohu, përmes raportit, suksesin e digjitalizimit në Shqipëri, duke dhënë nota pozitive për zbatimin e Agjendës Digjitale 2020-2022 dhe për hartimin me sukses të agjendës vijuese 2022-2026.