Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit , Mirlinda Karçanaj, i përgjigjet pyetjeve të publikut mbi procesin e shërbimeve pa sportele.

Sa dhe si do t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë kalimi nga sportelet fizike në ato online?

Karçanaj: Gjej rastin të përmend raportin shumë të rëndësishëm që kemi së fundmi nga BERZH që i jep Shqipërisë vendin e parë në rajon për shërbimet publike online. Por renditemi të 17-t në botë, lemë pas fqinjët tanë si Italia dhe Greqia që prej kohësh kanë hyrë në Bashkimin Europian. Kemi një ndryshim të madh që i ka ndodhur jetës së qytetarëve dhe bizneseve falë e-Albania. Së fundmi, ndryshimet teknike na kanë mundësuar një transformim të ri. Për herë të parë shërbimet dhe përgjigjet për të gjitha aplikimet që deri tani nuk dihej fare kur e merrnin përgjigjen, do të jenë me nënshkrim elektronik ose vulë elektronike, por dhe do të monitorohen në kohë reale. Ato shërbime që nuk kanë nevojë për prezencën e personit apo mjetit, nuk do të merren me fizikisht në sportele, por do të merren vetëm në e-Albania. I gjithë ky proces do të realizohet në të njëjtin sistem, i cili deri tani ka thjeshtuar ndjeshëm jetën e qytertarëve dhe bizneseve, sepse siç e dimë dokumentet shoqëruese shtet me shtet nuk i kërkohen më qytetarit dhe biznesit, por janë punonjësit e administratës që i gjenerojnë këto dokumente. Në po të njëjtin sistem, do të kemi edhe shtesën e këtij funksionaliteti. Më në fund përgjigjja ndaj qytetarit nuk do të ngelet më në dorë të harresës njerëzore apo të neglizhencës së punonjësit, por do të kemi një sistem që i mbulon të gjitha këto fenomene.

Cilat janë disa nga institucionet që mbyllin sportelet fizike për ato online?

M.Karçanaj: Preken pothuajse të gjitha institucionet. Kemi grupin e parë të institucioneve që u reduktohen ndjeshëm sportelet. Përmend këtu Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, nga 390 sportele fizike, kalon në 150 sportele. Në këto sportele do të merren vetëm ato shërbime që kanë nevojë për prezencën e personit. Preket Qendra Kombëtare e Biznesit. Shërbimet do të ofrohen vetëm online dhe sportelistët, që më parë punonin në sportelet fizike, do të punojnë për t’i kthyer përgjigje me nënshkrim apo vulë elektronike qytetarit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, por dhe të gjitha institucionet e tjera, sepse edhe në rastin kur këto institucione nuk kanë pasur sportele fizike që reduktohen apo ishin te pjesa që aplikimi realizohej dhe përgjigjja vinte me postë, tashmë do të kemi një përgjigje që vjen vetëm në mënyrë elektronike  me nënshkrim apo vulë elektronike dhe në kohë reale.  Kjo është risia më e rëndësishme e këtij transformimi

Si do të operohet me qytetarë që nuk janë të familjarizuar me teknologjinë, të moshuarit përshembull?

M.Karçanaj: Kam përshtypjen se kjo pyetje është kthyer ne stereotip dhe mendoj se i ka kaluar koha. Nga eksperienca e deritanishme dhe nga shifrat, ne flasim me shifra, pensionistët e kanë përdorur platformën e-Albania shumë mirë. Kujtoj kohën e pandemisë, ata ishin përdoruesit kryesorë dhe rezervonin javët e tyre për dalje. Aplikimet për pensione në ISSH, arritën në 1.6 milionë përdorime të këtyre shërbimeve që bëhen nga moshat e treta, fermerët e moshuar gjithashtu që aplikojnë në e-Albania.

Çfarë avantazhesh do të sjellë sistemi i qendërzuar i shërbimeve plotësisht pa letra, që është ambicia e juaj?

M.Karçanaj: Ambicia jonë, në fakt, është pikërisht kjo. Tashmë kemi kaluar pa letër në sistemin e-Aktet,  ku merret mendimi dhe kryhet gjithë procesi i inicimit dhe aprovimit të akteve të Këshillit të Miniitrave. Çdo akt atje është pa letër, me nënshkrim elektronik. Sistemi i menaxhimit të dokumenteve është implementuar me shumë sukses në Kryeministri dhe në të gjitha ministritë e linjës. Është momenti që në dy vitet e ardhshme të përmbyllim punën e gjithë administratës, të automatizohet, të kalojë pa letër, nuk do të kemi asnjë letër, as kohë të humbur më në postë, nuk do të kemi më pesë ditë deri në dy javë vonesa, apo printera që amortizohen.