Kur vjen fjala për Inteligjencën Artificiale, qytetet inteligjente dhe transformimin teknologjik të një vendi, të rinjtë janë fasha më e interesuar e popullsisë që kërkon të dijë dhe të bëhet pjesë integrale e ndryshimeve historike.

Për këtë arsye, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, si institucion që ka peshën kryesore për zbatimin e reformave teknologjike me misionin e kthimit të vendit në plotësisht digjital brenda vitit 2030, ka hapur siparin e takimeve me studentë të universiteteve vendase, për të rrëfyer në vetë të parë ç’është bërë së fundmi e cilat janë planet e afërta duke vënë theksin edhe tek rëndësia e bashkëpunimit me brezin e ri, që kërkon të kontribuojë në avancimin dhe ndërtimin e një Shqipërie digjitale, të aksesueshme dhe në dobi të qytetarëve të saj.

Ndalesa e parë e drejtuesve të AKSHI-t, Enio Kaso, Franc Zylyftari dhe Aldo Kita ishte në Fakultetin Ekonomik i Universitetit të Tiranës, me të cilin AKSHI tashmë e ka një marrëveshje të nënshkruar bashkëpunimi, që i hap dyert të rinjve për t’u bërë pjesë e projekteve të rëndësishme teknologjike.

Smart Albania, një projekt fantastik, që ende është në fazën fillestare e që kërkon resurse efektive njerëzore u prit me shumë interes nga studentët, duke qenë se edhe kërkesat për kandidatët që do të jenë pjesë e zbatimit, fokusohen tek specialistë të profilizuar në shkenca kompjuterike, informatike, inxhinierike dhe jo vetëm.

Inteligjenca Artificiale është gjithashtu një mundësi shumë e mirë, për t’u zbuluar dhe për t’u vënë në jetë në shumë hallka të shtetit elektronik shqiptar. Sinjalet e para të suksesshme janë dhënë, sepse në portalin e-Albania, i cili ofron 1239 shërbime publike për qytetarë dhe biznese, prej dhjetorit të vitit të kaluar ndihma për përdoruesit është në kohë reale nëpërmjet Asistentit Virtual, i cili nga ‘lindja’ ka kthyer mbi 500 mijë përgjigje informuese dhe sqaruese. Së shpejti, me Inteligjencën Artificiale do të sigurohet një gamë e gjerë lehtësish dhe zgjidhjesh në shëndetësi, arsim, financë, siguri dhe prokurime publike, duke mundësuar një realitet të ri në formësimin dhe forcimin e shtetit digjital, transparent dhe efikas.

E bashkë me zhvillimin vjen edhe alerti për kërcënime kibernetike, duke qenë se Shqipëria tashmë është futur në listën e vendeve me sisteme dhe shërbime elektronike të sofistikuara dhe që kërkojnë një kujdes të shtuar nga rreziku i pranishëm në hapësirën kibernetike. Të rinjtë u informuan me teknologjinë moderne që përdoret për të përballuar sulme kibernetike, mënyrën se si AKSHI, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë arriti të neutralizonte sulmin e sponsorizuar shtetëror iranian të meskorrikut të vitit 2022 dhe operacionet e përditshme, nëpërmjet qendrës së specializuar, për monitorimin e mbrojtjen e sistemeve dhe infrastrukturave qeveritare.

Të rinjtë e pranishëm treguan interes të veçantë gjatë gjithë komunikimit të drejtpërdrejtë me drejtuesit e AKSHI-t duke shprehur dëshirën dhe gatishmërinë për të kontribuar së shpejti në proceset digjitalizuese të vendit.