Një delegacion i nivelit të lartë të Izraelit zhvilloi një vizitë zyrtare këtë të mërkurë, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për t’u njohur nga afër me zhvillimet dhe progresin e digjitalizimit të shërbimeve publike në Shqipëri, por edhe për ambicjet e krijimit të një shteti plotësisht elektronik brenda 2030-s, falë shfrytëzimit efikas të Inteligjencës Artificiale dhe teknologjive të tjera përparuara.

Takimi, i zhvilluar në mjediset e TechSpace, mblodhi në një trezë të përbashkët, kreun e AKSHI-t, znj.Linda Karçanaj dhe përfaqësues të lartë të institucionit, të cilët mirëpritën ministrin e Brendshëm izraelit, z. Moshe Arbel, shoqëruar nga stafi i tij i ngushtë,  së bashku me ambasadoren izraelite në vendin tonë, Sh.S. znj. Galit Peleg.

Duke ofruar një panoramë të përgjithshme të zhvillimit digjital, znj.Karçanaj theksoi se falë mbështetjes së qeverisë shqiptare janë realizuar projekte fantastike duke tranformuar shtetin, në një hark kohor 10-vjeçar, nga tërësisht apatik, në një vend modern dhe të avancuar, ku qytetarët dhe bizneset shërbehen në mënyrë dinjitoze, falë ngritjes së sistemeve të avancuara elektronike dhe shërbimeve ekselente.

“Sot, falë revolucionit digjital ofrojmë 95 për qind të shërbimeve publike vetëm online nëpërmjet portalit e-Albania; një progres i cili nuk ka kaluar pa vëmendjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, Komisionit Europian, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OECD-së, që kanë dhënë vlerësime vërtetë pozitive për ne, duke na inkurajuar për të ardhmen”, u shpreh Karçanaj.

Tanimë që fokusi është vendosur në integrimin e AI dhe teknologjive të tjera moderne , – theksoi Karçanaj, – ne jemi në fazën kulminante të kalimit të portalit qeveritar e-Albania, i cili aktualisht ka 1240 shërbime elektronike, në versionin e tij 2.0, shoqëruar edhe me një sërë ndryshimet të tjera cilësore, mes të cilave edhe një asisten virtual më të përparuar me zë dhe figurë, ndryshe nga Asistenti e-Albania që funksionon prej dhjetorit të kaluar dhe që ofron ndihmë për përdoruesit nëpërmjet chat-it.

Në një prezantim më të detajuar të rrugës që ka përshkuar Shqipëria për progresin ne digjitalizim, Romina Kostani, drejtuese e një departamenti të rëndësishëm pranë AKSHI-t, siç është koordinimi i Agjendës Digjitale dhe projektet qeveritare elektronike me fonde të huaja, përmendi disa nga rezultatet konkrete që u siguruan nëpërmjet shërbimeve elektronike, të cilat u kursyen 3 milionë euro dhe 1100 vite pritje qytetarëve dhe bizneseve, në vetëm 4 vitet e fundit.

“Kjo, sepse sistemet tona veprojnë në sinkron nëpërmjet platformës qeveritare të nderveprimit, në të cilën veprojnë dhe bashkëpunojnë në kohë reale 61 sisteme elektronike dhe ku vetëm për vitin 2023 janë regjistruar 297 milionë transaksione. Gjithashtu kemi mundësuar edhe ngritjen e nje sistemi për shkëmbimin e dokumenteve elektronike brenda administratës publike, duke siguruar një komunikim të sinkronizuar virtual që thjeshtëzon maksimalisht kohën dhe procesin në marrjen e shërbimeve publike nga qytetarët dhe bizneset”, u shpreh Kostani.

Një vend të veçantë, zuri vëmendja që shteti shqiptar ka drejtuar nga siguria kibernetike, për të cilat Kostani, u shpreh se Shqipëria tashmë zotëron teknologji moderne dhe realizon operacione të  përditshme, nëpërmjet qendrës së specializuar, për monitorimin e mbrojtjen e sistemeve dhe infrastrukturave qeveritare.