“Risitë; dëftesa digjitale dhe asistenti digjital me zë i shërbimeve elektronike”

 

 

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit deklaroi se, pas mbylljes së sporteleve fizike, përdorimi i shërbimeve elektronike në portalin e-Albania u rrit 2.4 herë ose 1.7 milionë më shumë se periudha paraardhëse.

Gjatë fjalës së saj, në Konferencën e parë Kombëtare Antikorrupsion, fokusuar në reformimin e  shërbimeve ndaj qytetarëve përmes digjitalizimit, kreu i AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj ftoi të gjithë punonjësit e administratës publike që të përdorin masivisht sistemet elektronike dhe të konsiderojnë mjedisin digjital, si ambientin e vetëm të punës.

Duke njoftuar se, risia më e fundit do të jetë dëftesa e arsimit paraauniversitar, e pajisur me vulë digjitale, Karçanaj vuri theksin edhe tek projekti tjetër shumë i rëndësishëm që pritet të vihet në zbatim, siç është ai i asistentit digjital me zë, që do të orientojë dhe udhëzojë përdoruesit për shërbimet elektronike të e-Albania, duke nisur fillimisht me shërbimet e pajisura me vulë elektronike.

“Kur kryeministri premtoi se do të ishim kampione të digjitalizimit vite më parë, besoj të gjithë e mendonin se do të ishte një e ardhme shumë e largët, por në fakt ja ku jemi sot! Shqipëria cilësohet si një histori suksesi dhe pas gjithë këtyre viteve punë, rezultati është i dukshëm dhe vlerësohet në të gjitha raportet ndërkombëtare si OECD, DASH, BE, OKB, apo BERZH, si vendi më i mirë në rajon, sa i përket shërbimeve digjitale”, u shpreh Karçanaj.

Sot shqiptarët, – vijoi më tej kreu i AKSHI-t, – sipas raporteve ndërkombëtare, janë qytetarët më të familjarizuar me teknologjinë dhe në veçanti me shërbimet online. Përgjatë këtyre viteve, shumë kategori qytetarësh, si fermerët apo moshat e treta, ia kanë dalë fare lehtë që të aplikojnë e të marrin shërbime online. Por data 1 Maj vlente edhe si mesazh për të kuptuar se nuk ka më kthim pas. Zero letra, zero pritje ne radhe, zero boje, zero takime me burokrate, zero kohë e harxhuar, zero bakshishe e sorollatje për të marrë shërbimin e kërkuar.

Drejtoresha e AKSHI-t, vuri theksin tek Agjenda Digjitale, si plani i punës së AKSHI-t, mbi të bazën e të cilit, arritjet në teknologji inovative të shkojnë në një nivel tjetër.

“Nga ky vit, në 100 shkolla do të nisë një pilotim për të mësuar teknologjinë së informacionit, me fokus kodimin, qe nga klasa e parë. Potenciali ynë më i madh janë burimet njerëzore ndaj nuk ka investim më të madh se sa edukimi në mënyrën e duhur të fëmijëve tanë. Ne po sjellim edhe një tjetër mundësi të madhe; akademitë e kodimit për brezin më të rritur. Disa akademi kodimi kanë nisur nga puna dhe presim që deri në vitin 2025, mbi 10 mijë të rinj të jenë mirëtrajnuar për tregun e punës”, theksoi Karçanaj.

Konferenca Kombëtare Antikorrupsion, në ditën e dytë të saj, moderuar nga Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi, pati në panel edhe ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, drejtuesit e ISSH-së, DPSHTRR-së, ASHK-së , si dhe përfaqësues të delegacionit të BE-së në vendin tonë.