“Sulmet kibernetike janë lufta e shekullit të 21-të, ndaj investimi maksimal, duhet të shkojë për monitorimin dhe fokusimin e vazhdueshëm në sigurinë kibernetike të Shqipërisë”. Drejtori i Sigurisë pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Enis Ylli, gjatë një prononcimi mediatik, theksoi se gjendja e alertit nuk ka rënë, pasi synimi i sulmeve të tilla, që prekin jo vetëm sistemet elektronike shtetërore, është destabilizimi dhe shqetësimi në popullatë.

Pas lajmeve të publikuara orët e fundit, lidhur me daljen në shitje të të dhënave të e-Albania dhe të sistemit TIMS , Ylli u shpreh skeptik, për shkak të një lloj vakumi logjik, mes të dhënave që pretendohet se zotërohen dhe çmimit tepër të ulët, me të cilin janë hedhur në tregun virtual.

Disa javë nga sulmi masiv kibernetik i 15 korrikut, përfaqësuesi i AKSHI-t vlerëson se, pas analizave në bashkëpunim edhe me FBI-në e Microsoft-in, Shqipëria është një dëm kolateral, që vjen nga lufta që kanë mes tyre, qeveria dhe opozita iraniane.

“AKSHI është institucioni përgjegjës për portalin qeveritar e-Albania, ndaj mosfunksionimi i 1225 shërbimeve elektronike do të sillte kaos dhe do të zgjeronte efektin në sistemet tona. AKSHI, në këtë rast, shërbeu si një nyje kyçe për të shpërndarë mesazhet e tyre”, u shpreh Ylli.

Koha e rikthimit në funksion të shërbimeve të portalit qeveritar e-Albania ishte shumë e shkurtër. Për këtë, Drejtori i Sigurisë, thekson se politikat e duhura për përgjigjen ndaj incidenteve të tilla, bënë që reagimi të ishte më i shpejtë, dhe kjo u faktua, me kthimin në funksion të shërbimeve elektronike në portalin e-Albania, brenda 3-4 ditësh.

“Është e vështirë ta marrësh veten shpejt nga një sulm i tillë dhe për ta marrë veten shpejt duhet të kesh politikë për përgjigjen e incidenteve. Kjo, tregoi se ne politikat i kishim të sakta,” shprehet Ylli.