Kryeministri dhe drejtoresha e AKSHI-t sqarojnë detajet e aplikacionit të ri

Kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit kanë prezantuar të premten e 27 marsit shërbimin elektronik “Leje per dalje”, të krijuar rishtazi në situatën emergjente të krijuar, duke u dhënë mundësi qytetarëve të aplikojnë direkt për t’u pajisur me leje digjitale me kohëzgjatje 60 minuta në ditë, për të kryer blerje në markete, farmaci apo për arsye të tjera urgjente.

Gjatë videokomunikimit online me qytetarët, kryeministri Rama theksoi se pensionistët janë të përjashtuar nga kjo formë aplikimi, pasi kjo fashë e popullsisë duhet të qëndrojë e izoluar, për të evituar maksimalisht kontaktet me persona të mundshëm të infektuar me koronavirus.

Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj shpjegoi në mënyrë të detajuar hapat që duhet të ndiqen për të marrë shërbimin, ku qytetarët duhet të aplikojnë për t’u pajisur me leje automatike, që do të hyjë në fuqi prej ditës së hënë, deri në një vendim të dytë.

“Shërbimi elektronik e-Albania gjendet në krye të platformës. Aplikuesi mund të përcaktojë ditën që kërkon të dalë dhe vetëm një orë, në periudhën midis 05:00- 13:00. E drejta për të përfituar shërbimin i takon një personi të një familjeje. Mund të përcaktohet numri i telefonit ose jo. Leja shkon me e-mail në adresën që përdoruesi ka vendosur kur është regjistruar në portal. Konfirmimi vjen e-mail apo një sms,” u shpreh znj. Karçanaj.

Për personat që nuk kanë një kompiuter apo smartphone është krijuar një mundësi tjetër: duke çuar mesazh tek numri 55155; përgjigjja i shkon mesazhdërguesit automatikisht. Në këtë procedurë dërgohet vetëm numri i identifikimit, vend bosh dhe ora.