Shqipëria mori pjesë në konferencën e bashkëpunimit digjital, që u organizua të hënën, në kryeqytetin e Serbisw, Beograd.

Pjesë e konferencës me temë: “Digital Cooperation: Transforming Governments”, ku ishin  përfaqësues tw lartw nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, drejtuesja e qeverisë serbe, ministri përgjegjës për Teknologjinë dhe Informacionin në Maqedoninë e Veriut, qe edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, që u përfaqësua nga drejtuesja e platformës qeveritare e-Albania, znj. Nevila Repishti.

Gjatë prezantimit të detajuar të situatës lidhur me inovacionin dhe menaxhimin e TIK-ut në Shqipëri, znj. Repishti u shpreh se institucionet shqiptare janë të vetëdijshme për rëndësinë e vazhdimit të procesit të transformimit digjital.

“Ne jemi përqendruar 100% në zbatimin e zgjidhjeve optimale që na çojnë drejt dixhitalizimit të plotë, një proces i nisur fuqishëm vite më parë, i cili tani ka arritur pikën e tij më të lartë”, u shpreh drejtuesja e platformës.

Gjithashtu, – shtoi znj. Repishti,- jemi të prirur të jemi pjesë e iniciativave rajonale për ndërtimin e sistemeve elektronike të përbashkëta, shumëfunksionale, të cilat, me mbështetjen financiare të subjekteve ndërkombëtare, si BE apo organizata të tjera, do të na mundësojnë të bëjmë produkte dixhitale të dobishme së bashku, nga të cilat mund të përfitonim ulje kostosh, lehtësi të mëdha për bizneset dhe qytetarët që lëvizin brenda rajonit e gjithashtu shkëmbim të përvojës së ndërsjellë.

Përfaqësuesja e AKSHI-t, në fjalën e saj preku edhe çështje që lidhen direkt me vështirësitë që hasen për vënien në zbatim të projektit të e-qeverisjes, në aspektin teknik, dobitë dhe pengesat, si dhe për nevojën për të rritur nivelin e mbrojtjes në internet në nivel rajonal.

Më herët, ishte kryeministrja serbe, znj. Ana Brnabic, ajo e cila vlerësoi përzemërsisht praninë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në konferencë, si një sinjal tjetër shumë pozitiv për bashkëpunim rajonal në të ardhmen.