“Së shpejti, sistem konstatues për simptomat e personave, që mund të kenë Covid-19”

Nga 29 marsi, kur nisi zbatimi i shërbimit më të ri online “Leje për dalje” dhe aktualisht deri më datë 6 prill, mbi 650 mijë qytetarë kanë aplikuar për të përfituar leje-daljen për pazar apo për shërbesa të tjera. Prej tyre, 450 mijë aplikime janë kryer përmes aplikimit online në portalin e-Albania.

Përmes një interviste televizive me skype, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, bën me dije se mbi 70 për qind e aplikimeve bëhet nga qytetarët e Tiranës dhe numri më i lartë e kërkesave vjen nga persona të grupmoshës 30-39 vjeç.

“Qytetarët janë familjarizuar me shërbimin dhe janë ndërgjegjësuar për mënyrën e re të komunikimit. Nga dita e martë, qytetarët do të lejohet të dalin për 90 minuta, nga 60 që ishte deri më tani. Duhet të bëjmë kujdes, sepse daljet e panevojshme kthehen në një spirale të rrezikshme”, u shpreh Karçanaj.

Drejtuesja e AKSHI-t thekson se vënia në funksion e sistemit të daljes së kufizuar për qytetarët është përdorur në shumë vende të botës dhe e gjitha kjo bëhet për të mbrojtur shëndetin e njerëzve, duke u bazuar te zgjidhjet teknologjike.

“Shumë shpejt do nxjerrim një sistem tjetër që konstaton simptomat e personave të mundshëm me koronavirus,” theksoi Karçanaj.

Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se nga aplikimet e deritanishme, kërkesat më të shumta në numër, për të bërë pazar, janë bërë për fashën orare 10:00-11:00, ku mbi 60 për qind e aplikuesve janë burra.

Më herët, kryeministri Edi Rama ka theksuar se, nga leja e daljes përfiton vetëm një person i familjes, ndërkohë që pensionistët janë të përjashtuar nga mundësia për të dalë nga shtëpia në mënyrë absolute, për shkak se janë shtresa më e rrezikuar e popullsisë për t’u prekur nga Covid-19. Për banorët e zonave që nuk kanë mbulim interneti, vijon të aplikohet kërkesa e lejes përmes një sms-je të thjeshtë, në numrin: 55155, ku mesazhi është falas për të gjithë përdoruesit. Ndryshe nga e-Albania, e cila e miraton kërkesën në kohë reale, aplikimi me sms konfirmohet 24 orë pas kërkesës për leje-dalje.

Në link gjeni intervistën e plotë:

Direkt në “Pasdite me Xhaxhiun” folëm mbi revolucionin dixhital e-Albania, nga marrja e “leje për dalje” në këto ditë të pazakonta, deri te dyfishimi i marrjes së shërbimeve të tjera publike. Njerëzit gjithnjë e më shumë po i besojnë teknologjisë dhe këtë e tregojnë shifrat gjithnjë në rritje të përdoruesve!Sipas mundësisë, ju ftoj ta ndiqni! 😊

Posted by Linda Karçanaj on E hënë, 6 April 2020