Drejtoresha e AKSHI-t: Mbi 98% të shërbimeve online, funksionale

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj informoi publikun shqiptar për situatën aktuale, pas reagimit në kohë rekord, ndaj një sulmi të ashpër kibernetik, të sofistikuar dhe të sinkronizuar.

Në një dalje publike, së bashku me zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe përfaqësuesin e skuadrës speciale të “Microsoft” për sigurinë kibernetike, Kevin Chin, Karçanaj dha detaje për ngjarjen dhe për rikthimin në normalitet të shërbimeve.

Lidhur me rastin e paprecedentë, Karçanaj theksoi se përgjigjja e AKSHI-t në këtë betejë kibernetike ka qenë në dy fronte kryesore: rikuperimi i të gjitha sistemeve dhe infrastrukturave kritike qeveritare dhe paralelisht dhe izolimi i aktivitetit keqdashës. Falë reagimit të shpejtë të sistemeve mbrojtëse dhe të stafeve teknike,- siguroi drejtuesja e AKSHI-t, –  nuk pati humbje të dhënash, ndërkohë që ka nisur hetim i thelluar, për të zbardhur sa më parë krimin kibernetik.

Njëherësh, Karçanaj konfirmoi se AKSHI po punon ngushtësisht me partnerët e “Microsoft”, nëpërmjet ekspertëve të tyre më të mirë të dedektimit dhe përgjigjes ndaj incidenteve kibernetike, e njohur si “DART Team”.

Kreu i AKSHI-t sqaroi se, mbi 98% të shërbimeve online në portalin e-Albania janë tashmë funksionale dhe sistemet elektronike të institucioneve shtetërore u verifikuan një nga një, përpara se të riktheheshin në veprim.

“Faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i fiskalizimit u rikthyen në funksion të plotë brenda 12 orësh nga momenti i sulmit. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor me Sistemin e Lejeve të Drejtimit dhe Sistemin e Targave, po ashtu. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor me sistemin e Recetës Elektronike, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore me Sistemin e Barnave u rikthyen në funksion në kohë të shpejtë”, u shpreh Karçanaj.

Aktualisht, e-Albania është rikthyer për qytetarët me 1202 shërbime elektronike. Kreu i AKSHI-t, bëri më dije se të vetmet shërbime me të cilat ende po punohet janë njehsimi i diplomave dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e huaja, vërtetimi i ndihmës ekonomike, i pagesës së aftësisë të kufizuar, i kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social, lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës, kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike dhe shërbimet që lidhen me to.

Edhe administrata, prej ditës së premte, është rikthyer në normalitet, ndërkohë që Karçanaj falenderoi stafin e AKSHI-t, ekspertët e kompanive lokale, “Microsoft”, “Jones Group International” dhe të gjitha strukturat e tjera ndihmuese, që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë situatë të pazakontë.

“Falënderimi më i rëndësishëm shkon për qytetarët dhe bizneset, të cilët në ato ditë të para nuk kishin shërbime, por edhe për shërbimet e mbetura po presin me durim që të kryejmë rikuperimin”, u shpreh Karçanaj.