Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ishte pjesë e panelit të konsultimeve teknike të Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023-2030, organizuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në datat 14 dhe 15 nëntor.

Duke prezantuar qasjen e AKSHI-t, institucionit më të rëndësishëm të zhvillimit teknologjik dhe digjitalizimit në vend, drejtoresha e Inovacionit dhe e Promovimit të e-Gov, Romina Kostani përmendi, ndër të tjera, Agjendën Digjitale 2022-2026, ku theksoi se, një prej shtyllave kryesore të saj është edukimi dhe aftësitë digjitale, një pikë kyçe për krijimin e një kontigjenti të rinjsh të mirëarsimuar, në përputhje me nevojat e tregut të punësimit në Shqipëri.

Pasi u ndal te disa projekte të rëndësishme, mbi të cilat AKSHI, së bashku me institucione publike ka zhvilluar dhe po punon aktualisht, si Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar, krijimi i laboratorëve ‘smart’ në shkollat publike parauniverstare apo përpjekja historike për të futur kodimin që në klasë të parë, Kostani theksoi se synim kryesor është zhvillimi i digjitalizimit në Shqipëri, si dhe edukimi i duhur në fushën e TIK.

“Përmes Agjendës Digjitale për 4 vitet e ardhshme – vijoi Kostani – kemi vendosur të ndjekim platforma moderne të të dhënave dhe teknologjive digjitale që plotësojnë nevojat e qytetarit, për të kapërcyer mungesën e burimeve dhe për të siguruar përshtatjen me mënyrën e re të punës në distancë duke avancuar më tej me digjitalizimin e shërbimeve të qeverisë dhe zhvillimin e aftësive kibernetike.”

Deri më sot, qeveria shqiptare ka mbështetur fuqimisht nismat digjitale si një mjet efikas për modernizimin e qeverisjes, rritjen e njohurive dhe aftësive për një shoqëri sa më të hapur dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm për qytetarët shqiptarë. “Transformimi digjital – theksoi Kostani – na bën të gjithëve që ta përqafojmë edhe të sigurohemi për efektet pozitive që ka mbi produktivtetin, punësimin, si edhe rritjen e mirëqenies.”

Në panelin e diskutimeve dhe konsultimeve gjatë ditës së dytë ishin pjesë, mes shumë pjesëmarrësve, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, zëvendësministrja e Arsimit Nora Guga dhe kreu i Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, Ilir Beqaj.