13Mar

“Open Data”, burim të dhënash të hapura për publikun, startup-et, studentët

Në ambientet e Kryeministrisë, drejtues të lartë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit zhvilluan një takim me zyrtarë të nismës globale Open Government Partnership (OGP), ku u prezantua portali i ri qeveritar për të dhënat e hapura “opendata.gov.al”, në të cilin, me anë të ndërveprimit me të gjitha sistemet e institucioneve të qeverisë qendrore dhe asaj lokale, publikohen të dhëna të hapura të aksesueshme nga të gjithë, pa asnjë kosto.

Qëllimi kryesor i ‘opendata.gov.al’ është një qeverisje më efektive, rritje ekonomike dhe inovacion, transparencë dhe përgjegjshmëri, promovimi i ripërdorimit të informacionit publik duke respektuar të drejtën e pronësisë intelektuale dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Kreu i AKSHI-t, znj. Mirlinda Karçanaj njohu gjerësisht zëvendësdrejtorin e  Përgjithshëm Ekzekutiv të iniciatives globale z. Joe Powell dhe koordinatoren e Lartë Rajonale për Europën znj. Sandra Pernar edhe me rezultatet e deritanishme mbi ecurinë e zhvillimeve në modernizimin e shërbimeve publike dhe qeverisjes e-Gov.

Portali opendata.gov.al, nëpërmjet tre moduleve kryesore të tij, shërben si një dritare informuese për ecurinë e projektit OGP për Shqipërinë, si një vend konsultimi mes qytetarëve dhe institucioneve vendimmarrëse në Shqipëri dhe si një pikë unike e publikimit të të dhënave të hapura qeveritare. Aktualisht, në portal gjenden të dhëna të hapura mbi shëndetësinë, thesarin, buxhetin, doganat e tregues të tjerë financiare, arsimin, biznesin, rendin publik. Dita-ditës portali do të pasurohet edhe me të dhëna të tjera, të cilat do të përditësohen automatikisht në mënyrë periodike.

“’Opendata.gov.al’ ofron transparencë, por mbi të gjitha do të shërbejë si një burim të dhënash të hapura jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për startup-et apo studentët”, u shpreh znj. Karçanaj.

Të dhënat që merren prej “opendata.gov.al” janë një burim i paçmueshëm informacioni për studentët që mund t’i përdorin ato në tezat e tyre kërkimore, pa u dashur të sorrollaten pafund nëpër dyer institucionesh, për të marrë të dhëna, që me ligj u takojnë të gjithëve, por edhe për të orientuar startup-et për investimet e tyre.

Zyrtarët e lartë të nismës globale Open Government Partnership vlerësuan    arritjet e AKSHI-t dhe qeverisë shqiptare në fushën e-Gov dhe u shprehën se, ky model suksesi duhet të ndiqet edhe nga vendet e Ballkanit e më gjerë.