26Feb

e-gjoba, 250 tabletë elektronike për Policinë Rrugore

Blloku i zakonshëm i gjobave në duart e forcave policisë rrugore tashmë i përket së shkuarës. Falë bashkëpunimit të suksesshëm mes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Policisë së Shtetit, prej sot futen në përdorim 250 tabletë elektronike për Policinë Rrugore, të cilat do të shërbejnë për të regjistruar elektronikisht masat administrative apo për të kryer verifikimin e automjeteve në kohë reale.

Projekti modern inovativ shënon një tjetër sukses në kontributin që jep teknologjia në lehtësimin e dhjetëra procedurave në letër, siç është edhe rasti i vendosjes së një gjobe në kundërvajtje të ndryshme rrugore.

Gjatë një eventi promovues për këtë risi, të parën në llojin e vet të regjistruar në Shqipëri, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh se kjo është vetëm një prej hallkave në kuadër të projektit të madh të modernizimit të Policisë së Shtetit.

“Investimi që përurojmë sot, i kryer edhe në bashkëpunim me AKSHI-n dhe ICITAP-n, është shprehje e qartë e vëmendjes së Qeverisë shqiptare për Policinë e Shtetit, vëmendje e cila do të njohë një rritje të dukshme në të ardhmen e afërt dhe të largët. Në prioritetet e Ministrisë së Brendshme, të cilat janë prezantuar në fillim të këtij viti, modernizimi mund të konsiderohet si fjala kyçe. Modernizimi i Policisë së Shtetit është drejtimi kryesor, i cili do të mundësojë realizimin e objektivave shumë të rëndësishme, që duhet të plotësohen në interes të rritjes së parametrave të sigurisë publike, si dhe të përmbushjes së objektivave të rëndësishme të anëtarësimit europian të vendit, “ u shpreh ministri.

Me vënien në jetë të projektit e-gjoba, forcat e policisë rrugore do të kenë mundësi që veprimet që deri dje kryheshin manualisht në bllokun e gjobave të kryhen në kohë reale përmes tabletëve. Vënia në funksion e tabletëve rrit ndjeshëm cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit të ofruar për qytetarët dhe njëkohësisht optimizon edhe përdorimin e burimeve njerëzore nga policia.

Për verbalizimin e gjobës, agjenti i policisë si fillim duhet të autentifikohet me kredencialet e tij, zgjedh nëse mjeti ka targë shqiptare apo të huaj. Nëse mjeti ka targë shqiptare, mjafton të vendoset targa në aplikacion dhe të dhënat plotësohen automatikisht. Nëse shkelësi është prezent dhe është pronar i automjetit, të dhënat e tij plotesohen automatikisht, në të kundërt agjenti i policisë duhet të vendosë vetëm numrin personal ose numrin e patentës dhe aplikacioni do të marrë automatikisht të dhenat e shkelësit duke nisur nga:  Emri dhe mbiemri i shkelësit, statusi në TIMS, numri patentës ose numri personal, kategoria e patentës dhe data e skadencës se patentës.

 

Përmes aplikacionit punonjësi i policisë mund të ngarkojë një foto të shkeljes, plotëson gjobën duke zgjedhur nenin e shkelur (kundravajtjen) masën e aplikuar (vlerën e gjobës dhe masat plotësuese) dhe deklarimin e shkelësit (nëse ka) dhe pas plotësimit të gjobës, ajo dërgohet në sistemin e gjobave të policisë. Pasi regjistrohet me sukses, agjenti i policisë ka mundësi të printojë gjoben dhe t’ia dorezojë shkelësit.

Ndërkohë qytetari që ka kryer shkeljen, përmes portalit e-Albania mund të njoftohet për gjobën që ka marrë duke klikuar në shërbimin e posaçëm: “Kundërvajtjet rrugore”.

 

Gjatë eventit të sotshëm u paralajmëruan edhe një sërë zhvillimesh të reja teknologjike për Policinë e Shtetit, duke nisur nga targat dixhitale, sistemet fikse dhe mobile të leximit të tyre, qendrat e monitorimit të akseve rrugore, etj.